210 afganë pritet të vijnë në vendin tonë mbrëmjen e sotme me dy fluturime të njëpasnjëshme. Pas ardhjes së grupit të parë dhe akomodimit të tyre në hotelet e Durrësit, Shqipëria është gati të presë edhe dy avionë të tjerë me qytetarë afganë. Lajmi është konfirmuar nga vetë Ministria e Punëve të Jashtme.

Mësohet se avioni i parë do të ulet në Rinas rreth orës 23:00 me rreth 150 afganë, ndërsa avioni i dytë do të vijë me fluturim direkt Kabul-Tiranë me 60 të tjerë. Afganët që do të vijnë sonte, do të strehohen paraprakisht në ambientet e konvikteve të Qytetit Studenti.

“Mirëmbrëma! Gjatë mbrëmjes së sotme priten të mbërrijnë në Tiranë dy fluturime të tjera me qytetarë afganë. Avioni i parë nga Kabuli pritet të mbërrijë pak para mesnatës e pas tij edhe avioni i dytë. Pasagjerët do të priten në pistë nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Me uljen në pistën e Rinasit do ju bëhen me dije detaje të tjera. Planet brenda pistës do shpërndahen sa më shpejt të mundemi. Punë të mbarë të gjithëve bashkë!”- shkruhet në njoftim.