64 vjet…

Tradita e zhvilluar detare dhe rritja e transportit detar, kanë kërkuar dhe përdorimin e mjeteve të sinjalizimit në vendin tonë. Për këtë, në lashtësi detarët tanë përdornin zjarre dhe mjete të thjeshta ndriçuese në vende të dukshme të bregdetit.

Në një dokument të hershëm thuhet se, “kur një mjet lundrimi i huaj hynte në Adriatik, skelat e vogla në anë të grykës së Otrantos, ndiznin zjarre në vende më të ngritura për të lajmëruar skelat e tjera më në brëndësi, për rrezikun që afrohej. Duke lajmëruar njëri-tjetrin, jepej kushtrimi nga Karaburuni në Vjosë dhe të gjithë zinin grykën e Otrantos. Kështu  veprohej dhe për mjete detar të kohës, të cilat ishin në skela ose lundronin pranë bregut.

Në shekullin e kaluar, numuri i fenerëve ishte i pakët dhe shërbimi i kufizuar. Ata për shkak të teknologjisë dhe mungesës së personelit shpesh fikeshin.

Feneri më i vjetër është ndërtuar në VP të Sazanit më 1871, pastaj në 1884, feneri i Shëngjinit.

Në vitin 1932, u ndërtuan  fenerët e hyrjes së portit të Durrësit, i kalasë së Vlorës më 1937, i Cukës dhe Qefalit në Sarandë më 1938 dhe bova ndriçuese e vaporit të mbytur më 1939.

Në vitet 1945-1946, u rivendosën fenerët detarë me gazometër e karbit në portin e Durrësit dhe më 1947, filloi përdorimi i fenerëve me gaz acetilen, me vezullime.

Në vitin 1948, për mirëmbajtjen e fenerevë u caktua personel i vecantë, u vendosën fenerë me bateri dhe vazhdoi ndërtimi i bazamenteve për ta.

Deri në v.1956, u ndërtuan fenerë të rinj në Karavasta, në portin e Vlorës, në Orikum, Shëngjin, etj.

Ngjarje me rëndësi ishte krijimi i SHHSH më 27 shtator 1957, si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor, brenda Komandës së Flotës Luftarake Detare.

Shefi i parë i këtij shërbimi ishte zoti Arqile Papadhimitri, Koco Lati, Zv. për punë politike, Mersin Shqypi, shef i seksionit të Hidrografisë, Teofik Digli, shef i fenerëve dhe Seit Berisha, shef i sinoptikës.

Mbas këtij organizimi, u intensifikua puna për përmirësimin e teknologjisë së fenerëve. Krahas vënies në punë të fenerëve me gaz acetilen, u rikonstruktuan mjaft prej tyre dhe u pajisën me aparatura të reja. Filloi njw epokw e re pwr SHSH.

Shërbimi Hidrografik Shqiptar SHHSH}, është një komponent i rëndësishëm i Forcës Detare dhe aset i vecantw  pwr shtetin shqiptar.

Ai ka një rol të rëndësishëm në sigurimin e kushteve lundrimore dhe të sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë.

Një hidrografi dhe një sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar, si dhe turizmit në vendin tonë.

Për një vend në zhvillim e sipër që dëshëron uljen e diferencave të krijuara nga një izolim ndër vite, tregtia nëpërmjet detit, është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit për një integrim sa më të shpejtë të tij.

Deti, si një autostradë e asfaltuar, përfaqson një rrugë komunikimi të gatshme, pa investime infrastrukturore dhe me një impakt ambiental të ulët.

Në këtë drejtim, ky shërbim ka një rol të rëndësishëm, duke bërë të mundur sigurimin hidrolundrimor të bregdetit tonë, nëpërmjet vendosjes së fenerëve detarë e bregdetarë, shenja detare për shfrytëzimin pa rrezik, jo vetëm të bregdetit, por dhe të porteve, bazave, ujërave të brendshme, etj.

SHHSH, ka kryer e kryen studime të karakterit hidrografik dhe hidrologjik të bregdetit, relievit dhe fundit të detit, për vendosjen e fenerëve, të shenjave detare dhe të elementëve nënujorë. Në vijimësi, drejton, organizon dhe përpunon botimin e hartave detare, vjetarëve, udhëzuesve të lundrimit dhe të fenerëve, siguron dhe mban në gatishmëri të plotë sistemin e faro-fenerëve përgjatë gjithë bregdetit të RSH, përpilon dhe përgatit për botim, duke bashkëpunuar më IGJU si dhe pajis me dokumentacionin e nevojshëm detar të gjitha mjetet lundruese të RSH, bashkëvepron me institucione hidrografike të shteteve të huaja për qëllime studimi apo bashkërendimi  të veprimtarive të ndryshme.

Në këtë kuptim SHHSH, është jo vetëm një institucion tekniko-shkencor ushtarak, por tepër dobiprurës për transportin detar dhe ekonominë e vendit tonë.

Zhvillimi dhe përmirësimi i tyre teknologjik kaloi në disa etapa,

Psh. në v. 1958-1960, u ndërtuan kulla fenerësh prej betoni dhe guri me lartësi nga 8 deri 14 m.

Në v. 1958-1961, u vendosën në shtylla metalike [tralice], fenerët e Kepit të Rodonit, të derdhjes së Vjosës e Kepit Shëngjin.

Në v. 1984-1986, u ndërtuan me arkitekturën e kohës, dy kulla të reja fenerësh,  më 1985 u bë pajisja e disa fenerëve me aparatura elektronike automatike.

Më 1985, në bregdetin shqiptar numëroheshin 40 fenerë, që mbulonin me rrezet e tyre ujërat tona bregdetare me një brez nga 6 deri 13 milje detare.

Për zbatimin e detyrave të institucioneve  përkatëse ndaj sistemit sinjalistik në vendin tonë, ka një VKM, nr 1, datë 9.02.1985. Ku midis të tjerave thuhet se 2% e të ardhurave të taksës së fenerevë i kalon SHHSH. Po sa realizohet kjo?

Sistemi i sinjalistikës detare në vitin 2009

Nga eksperienca dhe ligjet ndërkombëtare, portet e pa pajisura me sinjalistikë detare janë një  “njollë e zezë” në bregdet për lundruesit dhe, si të tilla, nuk mund të njihen nga autoritetet ndërkombëtare si porte të sigurta dhe të përshtatshëm për transport e turizëm.

Ndaj krijimi i standardeve nacionale të sinjalistikës me simbolet dhe ngjyrat e njohura në nivel ndërkombëtar sipas sistemit IALA, përbën një element të rëndësishëm që krijojnw lehtësim dhe mbështetje të nevojshme në zhvillimin e akuaturizmit.

Në bregdetin shqiptar ka gjithsej 64 fenerë, 39 fenerë në tokë, 8 kulla guri/ betoni të një lartësie 6 deri në 14 m, 10 kulla plastike të një lartësie rreth 5 m, 10 tralice të një lartësie deri në 12 m, 4 shtylla hekuri, të një lartësie rreth 7 m, 7 impiante mbi objekte, 25 fenerë në det, 17 bova, 7 meda, 1 platforme.

Sipas zonave.

Shëngjin  2+2+4+1=9

Durrës  1+5+15+4+1=26

Vlorë  1+3+1+2+2+4+4+2+1+2=22

Sarandë 1+3+2+1=7

Ndër vite SHSH ka bashkëpunuar me palën italiane, greke e turke, në fushën e ndërtimit dhe të mirëmbajtjes së sistemit të sinjalistikës detare, po ashtu ka marëveshje bashkëpunimi me zyrën hidrografike të Mbretërisë së Bashkuar për realizmin e hartave hidrografike|përfshirë dhe ato elektronike|, udhëzues lundrimi dhe produkte të tjera hidrolundrimore, ndërkohë ka paraqitur kërkesën për tu anëtarësuar në Shoqatën Ndërkombëtare të Hidrografisë, |IHO|, me qendër në Monako të Francës.

Ngjarje me rëndësi për SHHSH ishte vendosja më 25 qershor 2010, e një feneri të fuqishëm në kalanë e Lëkurësit, Sarandë me ndihmën e palës italiane.

Përmirësime në teknologjinë e fenerëve….

Vitet e fundit me investimet e qeverive shqiptare dhe ndihmën e partnereve janë bërë përmirësime të teknologjisë së fenerëve

Teknologjia e përdorur sot në vendet e zhvilluara është orientuar drejt përdorimit të fenerëve me llampa të tipit LED, që kanë dhe avantazhe të shumta si, kërkesë më të vogël në mirëmbajtje dhe riparime të shpeshta |jetëgjatësi e lartë|, tepër ekonomike në energji, më të mbrojtura nga dëmtimet, si dhe pashmëri më të madhe. Llampat LED, vetushqyese nëpërmjet paneleve diellore dhe të pajisura me sistem telemonitorimi, shihen si e ardhmja e sinjalistikës portale, ashtu si ato të tipit PEL |Port entry Light, fenerë me drejtim|, të cilët janë shumë të rëndësihme për hyrjen në porte, duke eliminuar në këtë mynyrë fenerët me mbulom.

Kjo teknologji ka mundësuar edhe telemonitorimin e bazuar në GSM/GPRS/ UMTS, me dërgimin e një mesazhi ose e-maili me informacionin e nevojshëm për skuadrën e riparimit.

Nevojat për të ecur në të ardhmen…

Për të bërë të mundur realizmin e detyrave të shërbimit hidrografik është vlerësuar e nevojshme pajisja me një anije hidrografike e aftë të zgjidhë detyrat e dhëna në kushtet klimaterike të vështira si dhe matjet hidrografike afër dhe larg bregut, psh.

-matjet e zonave të hyrjes së porteve, rreziqeve të ndryshme për lundrim dhe pengesave natyrore.

-matjet meteorologjike-oqeanografike në lidhje me parametrat kimiko-fizike të ujrave në fund të detit.

-integrimin dhe shkëmbimin e të dhënave të mundshme me aktivitetet hidrografike të vendeve fqinj, në stërvitje apo misione të përbashkëta.

Porsa i përket funksionimit hidrografik dhe të kërkimit, është i nevojshëm programimi i mjeteve detare me kapacitete hidrografike të disponueshme për të bërë standardizimin dhe ndërveprimin operacional të mjeteve dhe të personelit, për të mundësuar përdorimin sa më mirë të fondeve dhe uljen e shpenzimeve.

Aktualisht Shërbimi Hidrografik në bashkëpunim me Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake prodhon harta detare me standarde ndërkombëtare. Hartat Shqiptare janë në dispozicion të lundërtarëve në formë elektronike. Ky shërbim ofrohet në bashkëpunim me Kompaninë Norvegjeze Primar e cila është kompani lider në këtë fushë dhe mbulon rreth 90% të tregut të hartave detare elektronike.

Zhvillimi i sektorit turistik ndër të tjera kërkon mbështetjen e lundërtarëve me Shërbime Hidrografike. Dy format më klasike të kontributit të këtij shërbimi për rritjen e sigurisë lundrimore në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, janë hartat detare si dhe sistemi i sinjalistikës lundrimore. Bregdeti Shqiptar po bëhet gjithmonë e më tepër një nga  destinacionet më të frekuentuara nga anijet turistike. Për të mbështetur një lundrimin për këtë kategori lundërtarësh, Shërbimi Hidrografik Shqiptar është drejt finalizimit të një marrëveshje me një Kompani të huaj, e cila mundëson mbështetjen e lundrimit me aplikacione lundrimi të thjeshta për tu përdorur.

Që nga viti 2018 në bregdetin shqiptar janë montuar katër sisteme moderne për monitorimin e baticë-zbaticës, të cilët kanë një rol kyç në pasqyrimin e të dhënave të sakta në prodhimin e hartave detare. Një nga projektet më ambicioze që po zhvillohet është dhe kompletimi i këtij shërbimi me një anije të re Hidrografike. Në drejtim të hartografisë është në proces dhe do të dalë shumë shpejt harta e gjirin e Porto Romano-s, e cila prodhohet për herë të parë, përditësimi i hartës për portet e Durrësit dhe Vlorës dhe Sarandës.

Sot SHHSH mirëmban 74 fenerë, nga të cilët 47 në tokë dhe 27 në det.{bova}.

Lidhur me ecurinë e këtij shërbimi në vitet e fundit në faqen zyrtare të Shërbimit Hidrografik Norvegjez shkruhet: “Shqipëria përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare në përputhje me Kapitullin 5 (Siguria Lundrimore), rregulloren Nr.9 (Shërbimi Hidrografik) të Konventës Ndërkombëtare për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS}.

 Nga viti 1957 e aktualisht, drejtues të SHHSH kanë qenë, Arqile Papadhimtri, Mersin Shypi, Capajev File, Bashkim Kryeziu, Nikolla Tole, Ilirjan Hoxha, Gëzim Koci, Lulëzim Kryeziu, Blerim Hoxha, Artan  Malo, Alfred Velaj dhe  Emrush Bejdo. Në këtë sektor të rëndësishëm shërbenin kuadro e specialistë të aftë, me nivel, profesionistë jo vetëm si detarë, por dhe si inxhinjerë re teknikë. Bazuar në këtë histori të pasur me arritje konkrete në dobi të transportit detar në vendin tonë, arrijmë në konkluzionin se, Shërbimi Hidrografik Shqiptar është një sektor i rëndësishëm i cili përmirësohet cdo ditë për të siguruar lundrimin në ujërat tona.

Të plotë, punën e kryer nga SHHSH në dobi të transportit të vendit dhe specialistët që kanë shërbyer në këtë shërbim, e gjeni tek “Antologjia e Detarisë shqiptare”, vëllimi i I-rë dhe i II-të.

Anjeza Musollari

Shefqet Kërcelli