Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe kërkon nga qeveria që të publikohet i gjithë teksti që është firmosur sot në Bruksel.

Në një postim në mediat sociale, Haradinaj shprehet se qeveria duhet të sqarojë nëse është e vërtetë se ka pranuar që të trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e vendit.

Haradinaj ka shtuar se AAK-ja është e indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri.

Kërkojmë nga qeveria e Kosovës që menjëherë ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat. Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket.

Poashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së  Kosovës është ofendim dhe goditje per sovranitetin e Kosovës!

Poshtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontrollë ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën.

Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës. Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrëfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!”, shkruan kryetari i AAK-s