Nga BUJAR QESJA

Më vjen mirë, që ashtu si unë edhe shumë të tjerë, kanë ndjerë peshën e një fotoje që shpërndau në këtë të enjte të 30 shtatorit, një emër i njohur i Ansamblit “Durrësi” Shpëtim Doka. Fotoja është e vjeshtës së vitit 2003, fiksuar në qytetin e Librazhdit. Në atë kohë kam drejtuar Qendrën Kulturore të Durrësit, e cila përfshinte Teatrin “A. Moisiu”, Estradën Profesioniste, Bibliotekën e Qytetit, Muzeun e Luftës dhe Muzeun Etnografik dhe shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut, Ansamblin Popullor “Durrësi”, Orkestrën e Harqeve “A. Moisiu”, Bandën e qytetit dhe grupin vokal të drejtuar nga Shpresa Tafaj.

Nga sa lexohet dhe kuptohet, kjo Qendër Kulturore përfshin të gjitha gjinitë kulturore artistike, duke kombinuar artin profesionist me atë amator, por gjithsesi me nivel të arrirë artistik. Fotoja që analizojmë, veçse na hapi orkesin e mallit dhe arritjeve të mëdha në ansamblin artistik popullor “Durrësi”, por na brengos që tashmë kjo armë e fortë e identitetit dhe konkurencës tonë është fikur, nuk ekziston më.

Djem e vajza, me dashuri të pafund për artin e kërcimit dhe interpretimit, muzikantë klasi të dalë nga shkolla e famshme e mesme muzikore “Jan Kukuzeli”, ishin hambar gjenerues i artit të famshëm të popullit, duke lëvruar dhe përçuar përpara folklorin e gjallë të zonës së Durrësit. Grupi çam i Rrogozhinës, interpretimi mahnitës me violinë i mjeshtrit Enver Qerimi, çiftelia e pandryshkur e Nazmi Grykës, grupi i njohur kosovar i Dervish Shaqes, vallet e Kavajës, kënga e Qomiles, interpretimet prekëse të Qemal Kërtushës, Parashqevi Simakut, të Shazije Dollakut “Vinte deti tallaz tallaz”, të Zija Saraçit, Miga Hysit dhe Jolanda Dhamos, të Rajmonda Kamberit dhe Mimoza Musaj-it, Melita Shehut, të Ylli Çiftit dhe Petrit Dobjanit, të Naim Kërçukut e të shumë të tjerëve, janë arkiva e gjallë e folklorit me tradita të Durrësit.

Përpos këtyre është grupi i valleve, që nis me punën kolosale të koreografit Gëzim Agolli, e më pas të Besnik Dokos dhe kulmon me të riun e talentuar Arian Plaku, të cilin na u desh t’i bënim një emërim të pazakontë: që në vitin e parë të shkollës së lartë për koreografi, ta emëronim koreografin kresor të Qendrës Kulturore. Dhe arritjet kanë qenë historike. Orkestrantë të njohur si Enver Qerimi, Ndue Brozi, Ilirian Shima, Erion Sheqeri, Klodian Mele, etj.luanin artin popullor të këngës dhe të valleve.

Dhe ky ansambël vihej në lëvizje, mbahej gjallë nga krijues dhe kompozitorë me emër si Agron Xhunga, Hajg Zaharian, Shaqir Kodra, Maksim Shehu, Todi Kutina, Nazmi Mici, për të bërë një hop cilësor me të mirnjohurin Ylli Ramzoti. Kam patur fatin që si drejtues i kësaj Qendre Kulturore, puna me Ansamblin artistik dhe folklorik “Durrësi” të bënte një përparim të pazakontë. Konkurimet ishin kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kudo fama e artit popullor të Shqipërisë së mesme, vinte vulën e saj.

Fotoja e Shpëtim Dokos, e së enjtes së 30 shtatorit 2021. Sa e bukur në formë, por edhe në përmbajtje. Fytyra të gëzuara amatorësh dhe artistë të karrierës. Përfaqësonim Durrësin në Librazhd, me atë që quhet vallja dyshe e Shqipërisë së Mesme. Krijuesi i saj është, koreografi legjendë i Librazhdit dhe Shqipërisë së Mesme, “Mjeshtëri i Madh” Sadi Halili, i cili është ndarë nga jeta në moshën 68 vjeçare. Ndonëse i paralizuar dhe i mbledhur i tëri në një karrocë lëvizëse, dha shëmbullin epik, se çfarë bën pasioni, çfarë bën arti i kërcimit, si një dukuri e zbavitjes dhe argëtimit të një populli.

Dhe kjo foto përkthen saktë pjesmarrjen tonë në vitin 2003, në festivalin e valles dyshe të Sadi Halilit në Librazhd. Në këtë foto janë të ekspozuar dy valltarët tanë Olta Gixhari dhe Agim Domi, i njohuri kërcyes i Shijakut. Na vjen mirë që Olta Gixhari, kjo aktore profesioniste e Teatrit Kombëtar, iu është dëgjuar emri për herë të parë në ansamblin popullor “Durrësi”. Ajo vërtet kërcente bukur. Besnik Doko pas daljes në pension, i la një grup të ngritur Arian Plakut, i cili ndërtoi shkollën e tij origjinale të kërcimit, ku Durrësi vlen të merret shëmbull.

Fotoja e Tim Dokos, natyrisht është prezente edhe në arkivën time, e cila evidenton punën e madhe të kryer, ngarkesën por edhe bukurinë e një pune pasionante, por që ngacmon edhe një shqetësim. Ansambli Popullor “Durrësi” është një aset i vyer i qytetit, është identiteti dhe fytyra folklorike e tij. Sidomos tani, në kohën kur Shqipëria po hapet drejt botës, ku Durrësi po kthehet në një kryeqendër i turizmit elitar, ku shumë turistë krahas vlerave historike të qytetit, deomos duan të njihen edhe me arritjet e artit popullor të kërcimit dhe interpretimit, rikrijimi i ansamblit “Durrësi” kthehet në detyrë parësore.

Si mbështetës i kulturës amatore dhe profesioniste në Durrës, ku detyrat funksionale kanë nisur që në dhjetor të vitit 1975, me lëvizjet e fuqishme kulturore artistike në ndërmarrjet dhe qendrat e prodhimit të Durrësit dhe rrethit të tij dhe mbase vazhdojnë edhe tani në pozicionin e publiçistit, jam i mendimit që Ansambli Artistik Popullor “Durrësi”, kjo vlerë e patjetërsueshme e artit historik të qytetit, duhet të rikthehet.

Dhe nëse ndodh kjo, jam i sigurtë që kemi për t’ja parë hajrin ,

moral dhe në vlerë monetare. Kolori popullor i Shqipërisë së Mesme, është konkurues dhe befasues për të huajt. Durrësi nuk vuan, përkundrazi i ka me bollëk forcat artistike. Ka një shkollë muzike. Ka instrumentistë mjeshtra. Ka shkolla dhe kurse baleti të të gjitha natyrave. Ka kompozitorë, dirigjentë, këngëtarë. E çfarë ska! Ajo që vlen të ketë, është kujdesi për t’ia kthyer Durrësit Ansamblin e tij, vlerën e tij, identitetin e artit origjinal popullor të tij.

Dhe jam i sigurtë, që kjo do të ndodhë!

Këtë ngacmim më dha fotoja e Tim Dokos, e çfaqur në këtë 30 shtator të vitit 2021.