Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas marrëveshjes me Serbinë për reciprocitetin e targave si dhe refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan.

Gjatë një konference për mediat, Haradinaj tha se Kurti me dy veprimet e fundit ka rrezikuar shtetin e Kosovës dhe marrëdhëniet me SHBA-në.

“Dje shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda, më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Këto goditje kanë ardh nga kolona e pestë e shtetit të Kosovës, nga një Qeveri dhe një kryeministër i papërgjegjshëm. Djë është nënshkruar marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet mbrapa dhe është refuzuar projekti amerikan i gazit.

Me marrëveshjen për targat Albin Kurti e ka goditur fortë sovranitetin e vendit. Ka vendosur t’i rikthejë targat ilegale të Serbisë që i kemi hequr 10 vjet më parë. Ka vendosur që territorin e veriut të Kosovës ta trajtojë ndryshe nga pjesa tjetër e shtetit, nuk i takon kjo e drejtë sepse nuk e lejon Kushtetuta e as populli”, tha Haradinaj.