Komisioni Europian pritet të publikojë këtë të martë në orën 15:00 raportet e progresit për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Paraqitja e parë e komisionerit për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi do jetë në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian.
Raportet e progresit përmbajnë detajet e procesit të reformave të integrimit në çdo fushë të rrugëtimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Ndryshe nga vitet e kaluara raporti mbi Shqipërinë dhe vendet e tjera njeh problematikat e secilit vend, por pa përdorur një gjuhë të ashpër lidhur me shqetësimet kryesore që kanë shtetet anëtare për çështjet kyçe siç është demokracia, shteti ligjor, të drejtat dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Evitimi i përdorimit të një gjuhe të ashpër bëhet me synimin për të inkurajuar vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian si Shqipëria të mos dekurajohen dhe të ngadalësojnë ritmin e reformave të integrimit në një kontekst të rënduar nga pandemia dhe influence sa më të madhe që synojnë të ushtrojnë aktorë të tjerë në rajon.
Në raportet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Komisioni Europian i përmbahet qëndrimit se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se konferenca e parë ndërqeveritare me të dyja vendet duhet të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur.
Komisioni Evropian, sheh si mundësi që vetoja bullgare të hiqet pas zgjedhjeve të 14 Nëntorit duke siguruar kështu për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me të dyja vendet në muajin Dhjetor.
Ndërkohë, edhe disa shtete anëtare që kanë qenë të lëkundura për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë nuk do të pengojnë hapjen zyrtare të negociatave pasi vendi tashmë ka humbur shumë kohë që pas marrjes së statusit të vendit kandidat në Qershor të 2014.
Gjithsesi kërkesat e përfshira në kuadrin negociator nga BE si përmirësimi i reformës zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR, rezultatet konkrete në ndëshkimin e korrupsionit, ndarja e kufirit detar apo propblematika me pronat e minoritarëve greke në jug do të ndiqen në fazat e tjera gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit.
Përshpejtimi i procesit të integrimit të shteteve ballkanike ka qenë një kërkesë e ripërsëritur ditët e fundit edhe nga administrata amerikane për të cilën një dekadë ështe një kohë e gjatë që ky proces të ndodhë në realitet. Presidenti Biden, Sekretari i shtetit Blinken dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Escobar kanë vënë theksin tek hapja sa më shpejt të jetë e mundur e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut./ Klan News