Nga Osman Metalla
Një projekt gjigand, i bukur ne pamjet 3 D të servirura për publikun, 2 miliard Euro investim!!! 2 fishi i projektit të TAP! 12-13000 vende pune. Shifrat janë aq marramendese saqe cilido që do të merrte guximin vetëm të pyesë, do të shikohej me habi, sikur vërtet po i heq nga dora 2 miliard euro dhe 13000 vënde pune. Mbase gabohem por vërtet mendoj se është shumë i bukur për tu besuar! Imagjino pak vetëm ritmin e kthimit të këtij Investimi (IRR) prej 2 miliardë eurosh! Nuk di se mbi çbazë ekonomike mund të kryhet një investim i tillë. Nuk jam ekonomist por besoj kjo do të përbënte pyetjen e parë për këdo.
Dhe këtë mendim sikur ma përforcoi dhe postimi i një mikut tim në Fcb “Histori që përsëriten“ i cili i referohej një artikulli të revistës Forbes të vitit 2016 i cili në mënyrë të përmbledhur shkruante:
Ish zv/kryeministri Serb Aleksandër Vučič, sot president i Serbisë në vitin 2012 do ti prezantonte mikut të tij Rudolph Giuliani, planin për zhvillimin e pjesës së bregut të lumit Sava në Beograd. Një projekt 3 miljardë dollar. Dy vite më vonë prezantohet një investitor i cili ishte Mohamed Alabbar drejtuesi i kompanisë “Eagle Hills” themeluesi i kompanisë EMMAR. Projekti parashikonte zhvillimin e një zone prej 750000m2 për zyra dhe apartamente luksoze për 17000 banore si dhe ndërtimin e një gradacele, më të madhen në Evropën juglindore duke krijuar në këtë mënyrë 13000 vënde pune. Në 2014 Vučič bëhet Kryeministër dhe Muhamed Alabbar prezanton planin e tij për zhvillimin e Beogradit. I gjithë projekti i bërë në mënyre të fshehtë pa pjesëmarrje të publikut. Ligje te vecanta per shmangien e gares dhe burokracive u miratuan në parlamentin Serb. Arkitektët ishin kundër pasi gjithshka nuk ishte në harmoni me pjesën tjetër të qytetit. Si pasojë e këtyre faktorëve u organizuan shumë protesta në Serbi.
Në vitin 2015 gjithshka ndryshoi: u krijua një Joint Venture ndërmjet Eagle Hills dhe Qeverisë së Beogradit, çka dhe i ndryshoi planet dhe premtimet fillestare. Në vënd që zhvilluesi nga Abu Dhabi të vinte me thasët me para (3 miliardë Euro) sikurse dhe kishte premtuar , kompania Eagle Hills kishte investuar vetëm 160 milionë dollarë dhe më pas do ti jepte qeverisë Serbe një kredi prej 300 milionë dollarësh e cila në fund përfundoi me vetëm 20 milionë dollarë. Çfarëdo që të ndodhë, Egle Hills i mbetet toka me qira për 99 vite, thotë autori i shkrimit.
Një histori kjo që i ngjan çuditshëm shumë asaj që ka filluar të gatuhet lidhur me projektin e Portit të Durrësit. Nuk do të dëshiroja kurrë që ashtu sikurse thotë miku im “Histori që përsëriten” kjo histori të përsëritej dhe në Durrës, ndaj dhe të mos “hutohemi” nga shifrat marramendëse por të gjykojmë me qetësi dhe maturi. Projekti i Beogradit i cili ishte premtuar të përfundontë në vitin 2019 (dmth përpara shpërthimit të pandemisë) akoma vazhdon të jetë kantjer ndërtimi të cilit nuk dihet se kur do ti vijë fundi! Imagjinoni pak Durrësin (në pjesën e tij më vitale) kantjer ndërtimi, pa turizëm dhe pa transport. Nëse zona në Beograd ishte një zonë e pazhvilluar dhe me infrastrukturë inekzistente, Durrësi është zona më e zhvilluar e Shqipërisë me portin më të madh në vënd. Një vendimmarrje e nxituar, e pa studiuar do të sillte pasoja të cilat do të ishin të parikuperushme për ekonominë jo vetëm të qytetit por dhe për atë kombëtare. Nuk dëshiroj të paragjykoj as të bëj avokatin e djallit, por mendoj se duhen matur mirë gjerat në të mirë të interesit publik. Ndaj një vendim-marrje e tillë kaq madhore dhe strategjike nuk mund të bëhet në nxitim, nuk mund të bëhet ne errësirë të informimit publik, nuk mund të bëhet vetëm me premtimin se gjithshka do bëjë kompania nga Abu D’habi do bëhet me paratë e tyre, por duhen studime, dhe konsultim i gjërë me komunitetin! Porti i Durrësit është Arteria kryesore e furnizimit nga ku kalon 92% e të gjitha ngarkesave detare në vend dhe nëse nuk studiohet sic duhet transferimi i operacioneve kjo do të ishte vrastare për portin. Mbështes zhvillimin e qytetit, por mendoj se zhvillimi duhet të jetë i harmonizuar i koordinuar dhe natyrisht jo duke rrezikuar të ardhmen e qytetit por duke krijuar perspektiva të qëndrueshme zhvillimi!