Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur dënimin me 9 vite burg për 39-vjeçaren Violeta Donaj, e cila tre vite më parë vrau bashkëshortin e saj Kujtim Donaj në tregun e Milotit. Ngjarja ndodhi më 17 qershor të vitit 2018, ku Kujtim Donaj u ekzekutua me armë zjarri nga bashkëshortja.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale me të pandehurën Violeta Donaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak te marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit ”, e parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin me vendimin nr. 1008-136 datë 09.10.2020 ka vendosur deklarimin fajtore të të pandehurës Violeta Donaj, për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak te marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i K.Penal dhe dënimin me 17 vjet burgim, dhe deklarimin fajtore për veprën penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit ”, dënimin me 3 (vjet) vjet burgim.
Në aplikim e gjykimit të shkurtuar dënimin përfundimisht me 17 vjet burgim.-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga e pandehura Violeta Donaj, ku kërkoi ndryshimin e vendimit penal, për sa i përket cilësimit juridik të veprës penale nga “Vrasja për shkak te marrëdhënieve familjare” në veprën penale “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 485 datë 26.10.2021 vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr.1008-136, datë 09.10.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, lidhur me veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal. Ndryshimin e këtij vendimi për pjesën tjetër të tij, si më poshtë: Deklarimin fajtore të të pandehurës V.D, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike” parashikuar nga neni 82 i K.Penal dhe dënimin e saj me 7 vjet burgim. Ne zbatim te nenit 55 te K.Penal, dënimin përfundimtar të të pandehurës me 9 vjet burgim.