Lokalet e kryeqytetit nuk na janë dukur më plot, në këto ditë vjeshte, ndonëse të gjitha (thuajse) kanë reflektuar një rritje të çmimit të kafesë.

Kostoja e kafesë që importohet në vend është rritur shumë këtë vit, duke i lënë bizneset në ankth nëse klientët e tyre, nga supermarketet që tregtojnë, te kafenetë e deri tek njerëzit që kërkojnë kafenë e tyre të përditshme në dorë, a do të tolerojnë çmime më të larta?

Shqiptarët konsiderohen si një popull kafedashës dhe frekuentues të mëdhenj të kafeneve, vend i cili është shndërruar në një ‘tempull’: aty çlodhesh, aty bën takime pune, apo familjare e kësisoj. Dhe në fakt, të gjithë klientët në radhë me mua në një nga pikat e kafesë “Mulliri i Vjetër” nuk thanë asnjë fjalë që ekspresi i tyre kushtonte 10 lekë më shumë, apo kapuçinoja 20 lekë më shumë. E porositën, e paguan dhe morën kafenë në dorë në rrugët e Tiranës.

E njëjta panoramë nuk duket në dyqanet e vogla të lagjeve, baxhot apo supermarketet, tek të cilat blerësit shohin me vëmendje faturën e tyre: buka, vaji, sheqeri, makaronat, mielli, veza deri në 10% më të shtrenjta.
Vetëm gjethet po bien në këto ditë të fundit të tetorit, ndërsa çdo çmim produkti është në rritje.

INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2021 ishte 2,5%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,5%. Ndërsa ndryshimi mujor, në rritje me 0.5%.

Prodhuesi më i madh në botë i kafesë, Brazili, është goditur me një nga thatësirat më të këqija të vendit në gati një shekull, sipas “Wall Street Journal” dhe kjo ka reflektuar çmimin e kafesë kudo në botë. Gjithashtu, thatësirat kanë ndikuar edhe në prodhim më të ulët të grurit dhe si pasojë, çmimi i tij në bursë është rritur. Tashmë, globalisht çmimet e produkteve të grurit si mielli, buka, pastat janë në rritje.

Një arsye që mendohet se ka ndikuar gjithashtu në një rritje të çmimit të kafesë, ka qenë një rritje e kërkesës së konsumatorëve në mbarë botën. Rritja e numrit të kafeneve, tashmë përsëri të hapura, kanë nxitur rritjen e nivelevetë konsumit.

Enri Jahaj drejtues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve pohon se, çmimi i kafesë në bare dhe restorante ka vend për rritje të mëtejshme, pasi sipas tij, Shqipëria ka nivelet më të ulëta të produktit në rajon. Ai tha se aktualisht në rajon, një kafe në bare kushton minimalisht 1 euro, prandaj edhe në Shqipëri çmimi do të shkojë drejt këtij standardi. Jahaj pohon se kafeja është një produkt tërësisht importi, ndaj rritja e çmimeve në tregjet e huaja reflektohet menjëherë edhe në tregjet vendas.

Sipas tij, numri i bizneseve të kafeve është rritur, më shumë aktorë janë përfshirë. Z. Jahaj thotë për “Monitor” që tendenca e pandemisë në rritjen e blerjeve të produkteve eksperti në shtëpi vijon të jetë e qëndrueshme, pavarësisht se nuk vihet re një ulje konsumi në kafe.

Deri ku do të shkojë rritja e çmimeve? Këtë përgjigje nuk e jep askush.

Dyqanet e vogla të lagjeve në Tiranë raportojnë një tkurrje të shpenzimeve ditët e fundit, ku kryesisht pensionistët, janë rezervuar për blerjet e tyre. Ndërsa çmimet më të qëndrueshme duket se janë në grupin fruta-perime, të cilat nuk kanë ndryshim.

Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve thotë se në Shqipëri, rritja e çmimeve është reflektuar në shumë produkte. “Vetëm ajri për momentin s’ka rritje”-pohon ai, duke paralajmëruar se çmimi i kafesë do të ndiejë një rritje tjetër në fillim të vitit tjetër.

“Tregu global ka pasur një rritje prej 30% të çmimit, e cila nuk është reflektuar ende në vendin tonë dhe pritet të shihen efektet nga fillimi i vitit tjetër. Në Italinë e famshme për kafenë, grosistët pohojnë se është shndërruar në një biznes për të mbijetuar dhe jo më për fitime”- përfundon Jahaj.

A do të vijojnë të jenë lokalet të mbushura sa më parë? Dhe sa do të mund të ‘rezervohen’ shqiptarët në blerjet e produkteve jetike të shportës? Janë pyetje, përgjigjet e të cilave do të shihen në muajt në vijim./Monitor