Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Shkodër, nga kjo e hënë ka nisur aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-Covid.

Kjo vaksinë do të aplikohet për qytetarët mbi 60 vjeç dhe tek ata persona që kanë kaluar mbi 6 muaj që nga marrja e dozës së dytë.

Në total në njësinë vendore të kujdesit shëndetësor Shkodër dozën e parë e kanë marrë 48.247 persona, ndërsa dozën e dytë 36.356.

Në vendimet e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve u rekomandua që për të gjithë të moshuarit mbi këtë moshë të marrin një dozë përforcuese të vaksinës anti-Covid.

Deri tani është vaksinuar 35 % e popullsisë, ndërsa janë imunizuar plotësisht me të dyja dozat 31 % e popullsisë shqiptare.

Aktualisht në Shqipëri po vaksinohet me vaksinat Pfizer, Astra Zeneca dhe Coronavac.