Italia, Gjermania, Greqia, Franca dhe Kroacia janë pesë shtetet që kanë dhënë më shumë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit e Shqipërisë gjatë vitit 2020, sipas një grafiku të fundit të publikuar nga Eurostat.

Në total në vitit 2020 shtetet e Bashkimit Europian dhanë 37.6 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. E para renditet Italia, me 13,059 leje. E dyta është Gjermania me 8,308  leje, e treta është Greqia me 7,768, e ndjekur nga Franca me 1,875 dhe Kroacia me 1,695 leje qëndrimi për herë të parë.

Të dhëna të tjera të Eurostat, treguan se që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013.

Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.

Lejet e qëndrimit në Europë

Sipas Eurostat, në vitin 2020, Polonia dha 598 000 nga 2.2 milionë lejet e qëndrimit për herë të parë të dhëna në BE për qytetarët jo-BE (26%). Polonia u pasua nga Gjermania (313 000, ose 14%) dhe Spanja (312 000, ose 14%).

601 200 ukrainas morën lejet e qëndrimit për herë të patë në vendet e BE-së në vitin 2020, duke i bërë ata grupin më të madh të shtetësisë midis të gjithë përfituesve. Polonia lëshoi 488 900 nga këto leje (81%).

Më pas renditen shtetasit e Marokut (123 400 leje, nga të cilat 56% u dhanë në Spanjë) dhe të Indisë (79 270, nga të cilët 14% u dhanë në Gjermani). Shtetasit e këtyre vendeve përbënin mbi një të tretën (36%) të të gjitha lejeve të qëndrimit të parë të lëshuara në vitin 2020. /Monitor.