Kjo do të thotë që bizneset në tregun e lirë do të sigurojnë energjinë me çmimet e tregut ku 1 kwh energji arrin në 25 lekë, më shumë se dyfish nga çmimet e rregulluara që paguajnë sot këto subjekte…
Faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë pritet të nisë në janar 2022 kur në treg të lirë do të dalin të paktën 7 mijë biznese. Burime pranë OSHEE Group thanë se bëhet fjalë kryesisht për bizneset e lidhura në tensionin 20 kilovolt ndërkohë që sipas ligjit duhet të dalin edhe bizneset e lidhur në tensionin 10 apo 6 kilovolt.
Faza e parë e liberalizimit nisi në vitin 2018 me daljen e mbi 90 kompanive të lidhura në tension 35 klilovolt, një proces që u shoqërua me problematika për shkak të mungesës së eksperiencës nga ana e kompanive për të siguruar energji të vetëm në treg.
Kjo bëri që periudha e tranzicionit të bëhej nga dy muaj në dy vjet. Gjatë kësaj kohe kompanitë furnizoheshin për të paktën dy vite nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit(FMF pjesë e OSHEE), me çmime tregu. Edhe për grupin e dytë që do të dalin në treg në janar të vitit të ardhshëm pritet që të ndiqet e njëjta praktikë ku Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do t’ju sigurojë energji për të paktën dy vite (edhe pse ata kanë të drejtë të dalin nga ky furnizues në çdo moment që sigurojnë vetë kontratë me furnizues të ri) por çmimi do të jetë sipas formulës aktuale.
Kjo e fundit është miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë dhe parashikon që në çmim të përfshihen tarifat e transmetimit, shpërndarjes, kostot për shpenzimet operative si dhe një marzh fitimi për FMF. Kur çmimi rezulton i ulët Enti ka vendosur si dysheme nivelin 9.5 lekë/kWh sa është çmimi për konsumatorët familjarë duke e përdorur këtë si një instrument për të nxitur bizneset që të dalin në treg të lirë vullnetarisht nëse energjia sigurohet me çmim më të ulët se ky dhe jo të furnizohen nga FMF.
Bizneset do ekspozohen ndaj çmimeve të larta aktuale të tregut
Liberalizimi ka dy anë të medaljes. Në vite të mira hidrike apo kur prodhimi i energjisë është i lartë, çmimi me të cilën sigurohen kontratat në treg të lirë mund të jenë më të mira sesa në tregun e rregulluar. Por në momentet kur prodhimi i energjisë është i ulët dhe vitet hidrike nuk janë të favorshëm çmimet pësojnë rritje të dukshme. Momenti në të cilën 7 mijë biznese do të dalin në treg të lirë është ndoshta më jo i favorshmi për ta, për shkak të një krize që ka marrë përmasa globale. Kjo do të thotë që bizneset në tregun e lirë do të sigurojnë energjinë me çmimet e tregut ku 1 kwh energji arrin në 25 lekë. Në raport me çmimet e rregulluara ky nivel është më shumë sesa dyfish.
Problematika me çmimet mbetet shqetësues për këtë kategori duke qenë se jemi në kushtet e një krize dhe ku çmimet në bursa nuk pritet që të ulen të paktën deri në mes të vitit 2022. Por edhe gjatë kësaj periudhe ulja do të jetë modeste duke zbritur nga mbi 200-250 euro/Mwh që jemi aktualisht në 150 euro/Mwh.
Stabilizimi i plotë i çmimeve për të shkuar drejt niveleve të mëparshme në 50-70 euro/Mwh do të kërkojë të paktën dy vite sipas ekspertëve të tregut. Ekspozimi ndaj këtyre çmimeve do të verë në vështirësi një pjesë të bizneseve të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë do të paguajnë një kosto të lartë për të çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir tek kostoja e produkteve të konsumatorëve. Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit.
Çmimet aktuale për bizneset
Liberalizmi edhe pse u përcaktua në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” i vitit 2015 ka nisur më herët për tregun shqiptar. Hapja nisi në vitin 2011 kur konsumatorët e lidhur në tensionin e lartë 220 u nxorën nga sistemi dhe iu kërkua që të siguronin energjinë të vetëm.
Në atë kohë ishin kryesisht kompanitë e çimentos apo Kurumi, të cilat ishin të lidhura në këtë nivel tensioni dhe që do të kalonin fazën e tranzicionit. Më pas kjo do të pasohej në 2018 nga bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt. Pjesa tjetër kanë mbetur në tregun e rregulluar që do të thotë se energjinë e blejnë aktualisht me çmimet që miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë.
Kështu me tarifat aktuale bizneset e lidhur në tension 20 kilovolt paguajnë një kilovat/orë energji 11 lekë ndërkohë që në pik paguajnë 12.65 lekë/kwh. Të njëjtat tarifa rezultojnë edhe për bizneset e lidhur në tension 10/6 kilovolt. Çmimi i shitjes së 1 kwh energji për bizneset e lidhur në tension të mesëm dhe me matës në tension të ulët është mesatarisht 12.4 lekë ndërsa në pik 14.3 lekë.
Furrat e bukës të konsideruara si një biznes sensitive ndaj çmimeve të energjisë dhe të lidhura në tension 10/6 kilovolt kanë një çmim 8.17 lekë/kwh çmim dukshëm ky më i ulët se kategoritë e tjera. Konsumatorët familjarë paguajnë 1kwh energji me 9.5 lekë/kwh.
Çmimet në bursa
Çmimet e energjisë këtë vit kapën një nivel të paprecedent duke arritur mbi 320 euro/Mwh. Niveli i ulët i prodhimit hidrik në vend në këtë periudhë ka bërë që shumica e konsumit të sigurohet në treg të lirë duke bërë që importet në total vetëm në tetor të kapnin vlerën 65 milionë euro ndërsa fillimi i nëntorit t’i kushtojë OSHEE-së edhe 15 milionë euro të tjera.
Nxjerrja në treg të lirë e fashës së bizneseve që janë konsumatorë të lidhur në tension 20 kilovolt pritet të pakësoje ndjeshëm sasinë e energjisë që kompanisë së shpërndarjes i duhet për të furnizuar tregun e rregulluar. Aktualisht vendi është në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji e cila sipas vendimit të qeverisë është në fuqi deri më 15 prill 2022.
Gjatë kësaj kohe të tre operatorët e sektorit si KESH, OST apo OSHEE duhet të pezullojnë investimet përveçse atyre të nevojshëm për aktivitetin e operimit dhe duhet të fokusohen tek sigurimi i sasisë së nevojshme të energjisë për konsum në vend./Monitor