Dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit Bashkimi Evropian nisi nga Kavaja programin “BE për shkollat”.

Ambasadori i BE-së në vendit tonë, Luigi Soreca në një deklartatë për mediat tha se BE-ja ka investuar 115 milion euro në objeket arsimore dhe kulturore që zbatohen nga PNUD në bashkëpunim me qeverinë shqiptare në 11 bashki të prekura nga tërmeti.

Nga 63 objekte ka përfunduar rikonstruksioni për 20 që janë shkolla kopshte e çerdhe. Ambasadori e vuri theksin tek standartet e rindërtimit që sipas tij janë më të mirat.

“Këto projekte i kemi parë në letër dhe tani i shohim këto projekte të ngritura dhe të bëra realitet. Përgjatë këtyre dy viteve 63 shkolla po rehabilitohen dhe 20 prej tyre kanë përfunduar të cilat po gëzohen nga nxënësit. Ky është solidariteti i BE-së, të ndihmojmë popullin shqiptar kur ata kanë nevojë. Por duhet ta dini se kur investohen kaq shumë para duam që gjërat t`i bëjmë në mënyrën e duhur.”- u shpreh Soreca.

Përfaqësuesja e PNUD në Shqipëri dha mesazhin se çdo investim që kryhet është i sigurt me standartet me të larta.

“Ky pogram bazohet në dy parime të rëndësishme: të rindërtojmë më mirë dhe kjo tregohet te materialet me cilësi të lartë që përdoren për ndërtimin e shkollës. Kjo do tu mundësojë brezave të ardhshëm që të mësojnë në një vend të sigurtë. Parimi tjetër është të rindërtojmë së bashku dhe për ne kjo është shumë e rëndësishme.”,- tha përfaqësuesja e PNUD.

Edhe kryetari bashkisë Kavajë, Redjan Krali i bëri një rezyme procesit të rindërtimit ku sipas tij po vijohet me ritme të larta ndërtimi i banesave individuale.

“Me datë 15 hedhim shortin për të ndarë apartamentet në pallatet kolektive. E njëjta gjë me shkollat, ku janë 11 në territorin e bashkisë së Kavajës, nga të cilat 7 janë ndërtuar nga qeveria shqiptare dhe 4 nga PNUD.”,- tha Krali.