Drejtori i Drejtorisë së Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka dhënë lajmin e mirë se në kolaudim, përveç kontrollit teknik do të verifikohen edhe kilometrat e sakta që ka përshkruar makina.
Përmes një postimi në “Facebook”, Gonxhe shkruan se kjo risi nuk do të ketë kosto shtesë, por do të jetë e përfshirë brenda tarifës ekzistuese për kolaudimin.
Mashtrimi me uljen e kilometrazhit të automjeteve është kthyer në një shqetësim real prej disa vitesh në Shqipëri, por tani ky fenomen pritet të marrë fund.
STATUSI I PLOTË:
Tjetër RISI nga DPSHTRR!
Leximi i odometrit tashmë përfshihet në Certifikatën e Kontrollit Teknik të mjeteve rrugore! Kilometrazhi në momentin e kolaudimit, verifikimi me fishë për mjetet me të dhëna digjitale dhe skanimi i kroskotit janë sot pjesë PA PAGESË e shërbimit! Kjo risi sjell dokumentimin e kilometrazhit, dekurajimin e spekullimeve në treg, nxitjen e mbajtjes së librave të shërbimit (nga autoriparues të ligjshëm) dhe mbrojtjen e konsumatorit, blerësit, sikurse frenojmë hyrjen në vend të mjeteve të tejamortizuara!
KUJDES: DPSHTRR përmes sistemeve të reja mbi verifikimin e mjeteve rezervon të drejtën të gjejë dhe nxjerrë kilometrazhin e vërtetë për mjetet rrugore të importuara, me kilometra, nëse ka mospërputhje me statusin e tyre në kolaudimin e parë në Shqipëri, sikurse të kërkojë nga homologët e huaj informacion në kohë reale mbi statusin më të fundit të odometrit! Mjeteve rrugore që rezultojnë me ULJE KILOMETRAZHI do t’u shënohet në certifikatën e kolaudimit statusi real! Nga janari 2022 në Certifikatën e Kolaudimit do të kemi edhe format historiku kilometrazhi!