Nga BUJAR QESJA –
Koha kalon dhe ne hutohemi paksa për t’u orjentuar. E ndjej edhe vetë që po ngutem, madje po vrapoj. Shkrimet po më duken si pistë, ku gazetari teston përgatitjen e tij në vrapimin e gjatë të krijimit. Dhe ky vrapim është me pengesa, pasi korsinë nuk ta liron kush. Kemi shumë për të bërë. Një pjesë e mirë e jona, gjithnjë flas për qytetarinë durrsake, kanë ikur dhe na vështrojnë nga parajsa. Për disa prej tyre bëhemi pishman, si na kanë shpëtuar pa kaluar mbi to lapsi ynë. Na janë dyllosur ngjarje, histori, dukuri, ku jemi ne, flasim për ne dhe ne nuk kemi ditur t’i kapim dhe t’i përhapim tek të tjerët. Dhe tani na duhet të nxitojmë, të takojmë të tjerët që janë midis nesh, flasin me ne, qeshin, gëzojnë dhe qajnë me ne dhe kjo na huton dhe padashur fshehim lapsin.
Jo kjo duhet sa më pak të ndodhë, për të mos u ligështuar më pas dhe thesaret tona të mbulohen nga pluhuri i një indiferencë që kushton. Që më kushton mua, ty dhe të gjithë të tjerëve që jemi përfshirë, në termin miratues qytetaria durrsake. Është një qytetari model, e përgatitur me miellin e situr të kulturës, akomulimit më të arrirë të atij që quhet, civilizimi tradicional i njerëzve të këtij qyteti. Dhe në rastin e Mikel Mukës më duket se jam i vonuar, prandaj duhet të nxitoj të shkruaj për të.
Mikel Muka, në mënyrë origjinale më përkufizoi ditëlindjen e tij kështu:
-Jam dy javë poshtë mbarimit të vitit 1929.
S’ka më bukur! Llogaritë ti bëj secili, se sa është sot mosha e Mikel Mukës, këtij rezervuari të pashtetur të qytetarisë tonë. Më ka shkuar ndërmënd disa herë të ulem, për këtë profil të zgjedhur tonin, për këtë modest tonin, madje, madje për këtë model tonin. Model është fjalë e madhe, me kuptim të madh, por ja që Mikel Muka e përmban këtë. Natyrisht jo të gjithë, por ai po. Nuk është puna, që ai është një i njohuri i vjetër i babait tim. Edhe i imi. Ai modelin e ka krijuar me punën e tij, me përkushtimin e tij, me atë që quhet shembulli i njeriut të plotësuar me të gjitha parametrat, që kërkon shoqëria e sotme europiane.
Takoj me Kel Mukën, por jo shpesh. Njëherë kur u ndala me të dhe pasi u largova, e qortova veten rëndë, si nuk bëra një foto dhe si nuk e përcaktova si të preferuarin tim mediatik. Dhe përgjova rastin e rradhës. Ashtu si një gjahtar profesionist i ka zënë pritë gjahut të tij edhe unë isha vigjilent për të “kapur” Kel Mukën, këtë “gjah” të preferuar për gjahtarët e shtypit. Dhe rasti më erdhi. “Çarku” im i profesionit ishte i gatshëm dhe funksionoi më së miri.
Mikel Muka me siguri nuk e ka kuptuar, që doja të hidhja në letër dy fjalë për të. Natyrisht isha shumë i kujdesshëm, pasi ia njihja tipin. Nuk e dëshiron median për t’u marrë me të, pasi i konsideron si lavde të tepërta.
Kërkoja të mësoja disa gjëra jo fort të vogla, që jo cilido i ka. 92-të vjeçar dhe punon shumë, si në rininë e tij. Gëzon një fizik të brishtë në sipërfaqe, por shumë i lidhur dhe i qendrueshëm. Shishet e alkolit, i ka të mbushura me ujë. Duhanin e ka zënë rob dhe e ka mbajtur të mbyllur, që kur ishte 10-12 vjeç. Lëviz shumë. Mbetet edhe tani një kopshtar profesionist. Konsumon pak ushqim në jetën e përditshme dhe ato që duhen. Ka edhe shumë, shumë gjëra të tjera të vlefshme që s’kam ndërmënd t’i lej rezervë.
Foton ia rrëmbeva si një kujtim njerëzor. Ditën që e takova, ndonëse në fillimin e vjeshtës së tretë, ishte një diell joshës që e lehtësonte komunikimin gati gati ndërmjet babait dhe birit të tij. Eh mor Kel Muka, sa me fat jam që të njoh! Je i rrallë, pasi cilësitë e rralla të bëjnë të tillë. Ti nuk e ndjen se je i rrallë. Ty nuk të shkon ndërmënd se ato cilësi që i manifeston, kanë veçanti dhe origjinalitet. Ti bën ritin e zakonshëm të kulturës dhe formimit tënd dhe s’të vete mëndja, se kjo është ajo e veçantë që të dallon.
Kohën nuk e vret, por e përkëdhel. Kështu gati ke bërë, në tërë kilometrazhin tënd të gjatë të rrugëtimit jetësor. Kur ishe i vogël, t’u fiksua puna madhështore që bënte babai yt, Tod Muka, kopshtari historik i Durrësit. E përqafonte bimën, fliste me të dhe e shoqëronte deri në rritje. Punonte ky Tod Muka, saqë nuk e kishte mëndjen se Keli i vogël ishte fiksuar pas tij.
– Kur isha i vogël, qëlloi që morëm nuk e di sesi një paketë Diamand. Ishte koha e Zogut. Një grup çunash të lagjes, e kaluam cigaren dorë më dorë. Pasi tymi përqafoi fytyrën time, më kapi një siklet i madh. Tërë natën më ka dhimbë koka dhe më merrej fryma. Dhe vendosa, nuk do të kisha më punë me këtë lanet. Dhe kjo besë që i dhashë vetes, nuk u shkel kurrë.
Pasion i djaloshit Mikel Muka, u bë edhe futbolli. Provoi të luaj me porta hungareze dhe ishte nga më i veçanti. Vrapimi i tij ishte si shigjetë dhe i pëlqente të shënonte. Filloi të bëj emër. Por viti 1950 e gjeti në Moskë, së bashku me disa të tjerë si Nesti Boçka, Ilir Gjylbegu etj. Studenti shqiptar Mikel Muka, kishte vendosur kështu të studionte për mjekësi. Dhe koha tregoi se, Durrësi fitoi një mjek profesionist të dorës së parë, që po ta marrësh nga viti 1954 e deri tani, i bëhet 67 vite pa hequr nga trupi rroben e bardhë dhe të përkushtimit të pandarë nga shpirti.
– Më qëlloi një ditë të ndodheshim në një mikpritje sovjetike. Na kishin nxjerrë vodka. Mikpritësi na detyroi ta pinim me fund një alamet gote, pasi ishte dolli për Stalinin. Kështu bëra, pasi detyrimet politike ishin të fuqishme. Kur kam shkuar në dhomën e fjetjes, më vinte mëndja vërdallë. Më filluan të vjellat. Kokën sikur ma goditnin me çekan. Fryma po më zihej, e gjoksi po më çahej. Dhe aty pas cigares, u betova për të dytën herë. Nuk e fus më në gojë alkolin! Dhe koha e tregoi këtë.
E filloi punën në Kuç si mjek, pasi ministri i shëndetësisë për kohën ishte nga ky fshat. Mikel Muka nuk e çfaqi kurrë mburrjen, se kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik për mjekësi. Uli kokën, hoqi xhaketën, veshi të bardhën e mjekut dhe vendosi të punoj. Po nami i kishte dalë si futbollist, pasi edhe në Bashkimin Sovjetik me raste ishte aktivizuar nga ekipe vëndase. Mikeli ynë ëndërronte Durrësin e tij, tokën e vendlindjes, por më parë duhet ta kalonte këtë periudhë pune, që gjithsesi ishin leksione të gjalla profesionale dhe njerëzore. Dhe Muka ynë, i lindur në një familje me kulturë të mirfilltë qytetare dhe të kristalizuar, fitoi popullaritet dhe simpati publike. Dhe këtu topi i futbollit iu ngjit këmbëve, duke u vërvitur e bindur mëndjes së tij.
Luan top këmbë me “Flamurtarin”, pastaj me Sarandën e Himarën duke fituar famë. Dhe kjo famë shkonte paralel me famën e mjekut. Korrekt në prefeksion. I urtë dhe i respektuar në kufijtë e maksimales, doktor Mikel Muka ishte përfaqësuesi ynë më i plotësuar në këtë zonë të vëndit.
– Kur luaja, natyrisht pjesa më e madhe ishin amatorë dhe topi nuk u bindej lehtë, u thoja:”Ju vetëm largojeni topin dhe çojeni në thellësi të sulmit, pasi aty jam unë dhe e di se çfarë të bëj.”
Dhe kështu ndodhte. Kapja topin dhe falë shpejtësisë që kisha, u kaloja mbrojtësave dhe shënoja vazhdimisht. Kjo gjë e lakoi shumë emrin tim.
Nuk doja që doktor Keli të mësonte, që do të hidhja rradhë për të. Do të më shkonte dëm dhe grimcohej tërë plani që kisha bërë. Kel Muka nuk i do lëvdatat, aq më shumë në publik. Është tipi i tij, natyra e tij. Nuk do! Në fakt kjo është edhe një nga shkaqet e forta, që i ka shpëtuar lapsit tim. Por siduket koha e gjatë që nuk ishim parë, na kishte futur në mall dhe biseda u bë pa as më të voglin dyshim. Në fakt për këto që po shkruaj, e kam shkelur në “besë” dhe jam gati ti kërkoj të falur.
Ardhja në Durrës, e gëzoi djaloshin e këtij qyteti. Ishte më i rritur, me hapa para në profesion, me kurajo dhe besim për t’ia dalë detyrave sado të vështira që të ishin. Bëri disa punë me vlerë po në mjeksi, deri sa stacionohet përfundimisht si mjek mikrobiolog në Qendrën Sanitare të qytetit. Atje gjeti një kolektiv të aftë për të përmbushur angazhimet. Shkollës së përfunduar në Bashkimin Sovjetik, po i shtohej edhe një shkollë tjetër më e plotë, më synuese, që ishte shkolla e madhe e punës dhe e përplasjeve me problematikat e ditës. Po në përmasat e një shkrimi me shtrirje të kufizuar, nuk mundemi dot të fokusohemi tek rritja e ngarkesave dhe pozicionimi i Kel Mukës në kalimin e vështirësive.
Ajo që vlen dhe këmbëngulim këtu, është se Mikel Muka krijoi modelin e një njeriu shumë të preferuar në shoqërinë shqiptare: profesionist i aftë, njeri më shumë se i mirë, i urtë, i qetë, me një komunikim prej njerëzve të kulturuar, ku nuk shan dhe fyen kërkënd, ku shpërndan vetëm buzëqeshje dhe maturi, ku ulet dhe punon pa iu ndjerë zëri i gojës, ku dëgjon më shumë se sa të flasë, ku nuk përton dhe është i gatshëm që të ndihmojë cilindo që e dëshiron këshillën e tij, që…, që… Dhe këto që-të janë në pafundësi, kur është fjalë për Mikel Mukën.
Kam shkruar shumë për këta 90-të vjeçarë, që janë palca e shoqërisë durrsake. Sapo hodha rradhë për artistin e madh të këngës Qemal Kërtushën. Kam formatuar mjaft shkrime për Sul Maliqatin, ruajtësin mitik të portës. Por edhe për 94 vjeçarin Nexhip Xhenetin, ekonomist ajke. Do kohë isha fokusuar edhe tek inxhinjeri novator, kuadri plot vlerë dhe dituri Pavllo Roko. Po kështu kam vepruar edhe me Koç Koretën, pak vite poshtë 90-tës. Dhe tani jam me Mikel Mukën. Çfarë përvoje për punën time? Çfarë frymëzimesh dhe përjetimesh? Të paharruara.
Kel Muka pasi e pyeta edhe pak, sigurisht në formë bisede më foli edhe për kopshtarinë. Ia gudulisa pasionin e hershëm dhe godita në shenjë. U gjallërua dhe i hodhi pak dru sobës së ngrohtë të bisedës. Mësova se punon në bahçen e shtëpisë, së bashku me të vëllanë Vlash Mukën. Kanë mbjellë dhe çfarë nuk kanë mbjellë. Perime, por shumë pemishte.
Më foli gjithashtu edhe për sportin, duke u gëzuar me kuriozitetin, që “golin e parë e kam shënuar unë kur u përuruar stadiumi “Niko Dovana”. Ishte një ndeshje ndërmjet veteranësh dhe ekipit të parë të “Teutës””.
Dhe ishte titullar me “Lokomotivën” deri në vitin 1962. Kujton Mustafa Hajdarin, Raq Manushin, Banush Pashën, Shyqyri Hasën, Thoma Thimjon, Nikolla Çetën, Astrit Zhordën, Mustafa Saraçin, Niko Bespallën, Raq Llavdën, Avdulla Dumën, Nysret Shytin etj, si dhe trajnerët Tom Gjiri, Kol Ëngjëlli, Adem Karapici e Skënder Dedja. Pjesmarrja në futboll ishte një plus, që rriti universalitetin e Kel Mukës, duke e plotësuar edhe më tej portretin e tij tërheqës dhe shumë të dashur e të respektuar për njerëzit.
– Më jep kënaqësi puna në kopështin e shtëpisë. Puna në ajër të pastër. Bima është si njeriu, që po i shërbeve të shërben. Vetëm se nuk ka gojë. Nuk e harroj babain tim të mirë Todin. Gjithçka e kam mësuar prej tij, kur kishim pranë Dovanat e njohur.
Kel Muka ka ndërtuar një familje të lumtur, duke nisur nga e shoqja Alma, nga fisi i mirnjohur i Delhysëve. Djali Ardiani, Arkitekt i spikatur dhe e bija, Majlinda pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Nipër e mbesa janë kurora shpirtërore e gjyshit 92 vjeçar, modelit të qytetarisë durrsake Mikel Muka.
Si kam thënë gjë, që hodha këto rradhë për të. A do të mërzitet? Nuk e di. Por ajo që e di me siguri është, se këtë shkrim do ta miratojë qytetaria durrsake, që djali i tyre i urtë Mikel Muka i shërben me shumë përkushtim, deri në këtë moshë të thyer. Dhe kjo nuk është pak.
Durrës: 5 nëntor 2021