Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vërejtur se gjatë zbatimit të buxhetit përgjatë vitit 2020 qeveria ka treguar mungesë serioziteti dhe për me tepër ka shkelur ligjin gjatë zbatimit të programit të investimeve publike.
KLSH tha në raportin dërguar Kuvendit se qeveria nënshkroi mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë të kontraktuar rreth 23 miliard lekë (rreth 190 milionë euro), pas datës 15 Tetor 2020, jo në përputhje me kërkesat e ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor.
Kontraktimet më të mëdha u bënë në Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 10 miliard lekë dhe Ministria e infrastrukturës me vlerë 7.8 miliard lekë.
Gjithashtu u gjetën rreth 10 milionë euro (1,23 miliardë lekë) shpenzime korente që në realitet janë klasifikuar si shpenzime kapitale.
Për shembull Autoriteti Rrugor Shqiptar i raportoi si investim shpenzimet për vendime për shlyerjen e vendimeve gjyqësore.
Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe AZHBR raportojnë si investim të realizuar kostot lokale të menaxhimit të projekteve. Programi buxhetor 6210 “Programe zhvillimi” nga FSHZH me Aktin Normativ nr. 28/2020 është rritur me 3 miliard lekë për hapjen e 21 projekteve të reja investimi të cilët nuk kanë kaluar ciklin e menaxhimit të investimeve publike në Programin afatmesëm 2020-2022.
Rezulton se, buxheti i kërkuar për vitin 2021 për këto 21 projekte paraqitet në shumën 6.99 miliard lekë, ndërkohë me ligj buxheti tavani buxhetor është miratuar në shumën 3.8 miliard lekë, duke lejuar kështu ndërmarrjen e angazhimeve përtej kufirit të miratuar, vëren KLSH.
Në vijim, me Aktin Normativ nr. 34/2020 fondi këtij programi është ulur me 1.3 miliard lekë ndërkohë kontratat e nënshkruara janë në shumën 5.95 miliard lekë dhe fondet në dispozicion në muajin dhjetor 2020 për to paraqiten në shumën 880 milion lekë ose 1.27 miliard lekë angazhime përtej tavanit të miratuar për vitin 2021.
Disa nga këto projekte janë: Rikualifikimi dhe sistemimi i Lumit Gjanica, Loti iI, Fier me vlerë kontrate 630 milion lekë; Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë me vlerë kontrate 818 milion lekë; Rikualifikimi i zonës turistike Golem me vlerë 667 milion lekë.
Përveç projekteve të mësipërme, në muajt shtator-tetor 2020, është miratuar rialokimi i projekteve të reja, duke detajuar vetëm vlerën e 20% të projektit të investimit në vitin e parë në shumën 543 milion lekë. Plani përfundimtar rezulton në shumën 238 milion lekë, ndërkohë që tashmë janë lidhur 4 kontrata me afat 8-12 muaj në shumën 1.4 miliard lekë në tejkalim të tavanit të viti 2021 në shumën 1.2 miliard lekë. Konkretisht: Ndërtimi i By Pass-it të Gjirokastrës, Ndërtimi i Rrugës Burrel-Sheshaj, Rruga e Vendit të Shenjtë Mali i Tomorrit, Loti 2, Rikualifikimi Urban dhe ndërtimi argjinaturës për mbrojtjen nga Vjosa.
Sipas KLSH-së, konstatohen rishikime të shpeshta në programin buxhetor 4520 “Transporti rrugor”, për MIE dhe ARRSH planifikuar me ligjin e buxhetit në shumën 14.5 miliard lekë. Me aktin Normativ nr. 28 vlera e financimit është rritur me 7.1 miliard lekë.
Në muajin Tetor 2020 janë kryer përsëri rialokime duke shtuar fondin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit në shumën 370 milion lekë të tjera dhe duke shtuar dhe projektin Ndërtim rruga Palasë Dhërmi” në shumën 440 milion lekë përballuar nga ulja e financimit të “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvine Loti 7”.
Në muajin Nëntor është ulur përsëri vlera e shpronësimeve të planifikuara dhe janë shtuar dy projekte të reja të investimeve: projekti “Rikonstruksion i rrugës Dukaj – Sinanaj, Tepelenë” në shumën 100 milion lekë dhe projekti “Ndërtim i rrugës, lidhja e Autostradës Milot – Morine me Aeroportin e Kukësit” në shumën 144 milion lekë. Gjithashtu në këtë program konstatohen 5 projekte të cilat kanë ndërmarrë angazhime në mungesë të fondeve disponël në vlerën 4.5 miliard lekë.
Në Programi buxhetor 6370 “Furnizimi me ujë dhe kanalizime” janë konstatuar 7 projekte që kanë marrë angazhime në tejkalim ose në mungesë të fondeve disponbël në shumën 7.1 miliard lekë./Monitor