Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, së bashku me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Takimi u organizua nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, nën përkujdesjen e kryetarit të saj Vincenzo Del Monaco.
OSBE i bën thirrje aktorëve politikë në vend që të shfrytëzojnë vrullin e tanishëm për të filluar shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR
I njëjti apel u bë dhe nga ambasadori Soreca, i cili përmes një mesazh në Twitter në përfundim të takimit theksoi thirrjen e Bashkimi Europian ndaj forcave politike për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR.
“Shkëmbim kohe i organizuar nga OSBE në Shqipëri me KQZ dhe Ilirjan Celibashin mbi zhvillimet paszgjedhore dhe prioritetet për punën e ardhshme.
BE vijon thirrjen ndaj të gjithë aktorëve përgjegjës për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. BE në Shqipëri mbështet punën qendrore të KQZ për forcimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor të Shqipërisë.” shkruan Soreca.
Reagimi i OSBE-së pas takimit
Prezenca e OSBE-së do të bashkërendojë asistencën e komunitetit ndërkombëtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 dhe fillimit të diskutimeve për një reformë të re zgjedhore, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, organizoi sot një takim të ambasadorëve të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar asistencën për çështjet zgjedhore.
Prezenca ftoi në takim Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili i njohu të pranishmit me administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe nevojat e KQZ-së për asistencë. Ai falënderoi OSBE-në dhe ndërkombëtarët e tjerë për mbështetjen e tyre, duke e quajtur këtë një faktor kyç për performancën e suksesshme të KQZ-së me gjithë afatet shumë të shkurtra. Celibashi shtoi se, edhe pse mangësitë në procesin zgjedhor nuk munguan, për herë të parë partitë politike nuk adresuan asnjë kritikë ndaj punës së KQZ-së.
Si Celibashi ashtu edhe Del Monaco mirëpritën gatishmërinë e partive politike për të filluar reformën zgjedhore dhe theksuan rëndësinë e një përfundimi të shpejtë të saj për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Pjesëmarrësit e lavdëruan KQZ-në për përgatitjen dhe menaxhimin profesional të zgjedhjeve në kohë të shkurtër dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar të mbështetin përpjekjet e KQZ-së për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore. Gjithashtu, ata nxitën Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, partitë politike dhe aktorët e tjerë zgjedhorë për ta përdorur vrullin e tanishëm për të filluar shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Ambasadori Del Monaco e mirëpriti sugjerimin e Celibashit, të mbështetur edhe nga pjesëmarrësit e tjerë, që Prezenca e OSBE-së të bashkërendojë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për KQZ-në.