Pesë persona janë proceduar nga policia e Lushnjes pasi morën pjesë në protestën që u zhvillua ditën e djeshme nga fermerët në rrethrrotullimin e Plugut.

Në një njoftim për mediat policia thotë se këta persona aknë bllokuar për 15 minuta kalimin e mjeteve dhe kanë kundërshtuar me dhunë efektivët e policisë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme”, shtetasit E. Sh., 43 vjeç, banues në Lushnjë, K. H., 23 vjeç, A. V., 41 vjeç, E. V., 36 vjeç, D. O., 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat, pasi ditën e djeshme në vendin e quajtur “Rotondo e Plugut” kanë bllokuar kalimin e mjeteve për rreth 15 minuta dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Fermerët protestuan gjatë ditës së djeshme kundër paketës fiskale që ka prezantuar qeveria për vitin e ardhshëm, duke pretenduar se ndihma ndaj tyre është inekzistente. Ata kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish në protesta.