Faza e dytë e Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2), u prezantua sot në Kavajë në prezencë të bashkive partnere, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ministren e Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, organizata të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë.
ReLOaD2 do vazhdojë të forcojë partneritetet me autoriteteve vendore dhe shoqërisë civile në 13 bashki, konkretisht në Kamëz, Kavajë, Kukës, Lushnje, Patos, Sarandë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Përmet, Roskovec, Shkodër dhe Tiranë, duke zgjeruar modelin e suksesshëm të ReLOaD1 – i cili ndihmoi në forcimin e financimit transparent të organizatave të shoqërisë civile nga buxhetet e bashkive dhe ndihmoi në krijimin e mundësive për OSHC-të, për t’i shërbyer sa më mirë komuniteteve lokale.
Nëpërmjet fazës së parë të ReLOaD, 12 qeverisje vendore kanë prezantuar mekanizmat për disbursimin e fondeve publike për OSHC-të. Në katër vitet e ardhshme, 6 bashki të reja partnere (Sarandë, Kavajë, Lushnje, Kukës, Kamëz dhe Patos) do t’iprezantojnë këto mekanizma.
Duke marrë parasysh që pushtetet vendore kanë përvojë të kufizuar pune me OSHC-të, kryesisht për shkak të burimeve të kufizuara financiare dhe mungesës së procedurave të qarta, PNUD-i do të mbështesë 6 bashki të reja partnere nëpërmjet një granti prej 785,000 USD, ndërsa 7 bashkitë partnere ekzistuese, do të vazhdojnë të mbështeten me aktivitete për rritjen ekapaciteteve të stafeve të tyre dhe mentorim.
ReLOaD2 do t’i inkurajojë ata të përdorin fondet publike për OSHC-të në një mënyrë të orientuar drejt zhvillimit, duke njohur nevojat lokale dhe duke përqafuar një qasje të bazuar në projekte, me fokus të veçantë në forcimin e organizatave të vogla.
Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, tha: “ReLOaD2 do të mbështesë gjashtë bashki të reja për të përdorur një metodologji të standardizuar për financimin e organizatave të shoqërisë civile nga fondet e BE-së dhe buxheti i tyre. Përgëzoj të gjithë partnerët e pushtetit vendor të ReLOaD, veçanërisht bashkitë e reja partnere! Përkushtimi juaj për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët tuaj është i admirueshëm dhe ne ofrojmë ndihmën tonë për ju në këto përpjekje.”
Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, e pranishme në aktivitet, nënvizoi se: “Komponenti Rinor në Këshillat Bashkiakë do të ndihmojë në kuadrin e përfshirjes gjinore, pakicave dhe asaj ekonomike. Ndërkaq, ngritja e 6 Forumeve Rinore nga ReLOaD2 do të ndihmojë për të kuptuar problemet dhe nevojat për përfaqësim që kanë të rinjtë dhe si mund t’i përfshijmë këto në Strategjinë Kombëtare për Rininë 2022-2029”.
“ReLOaD është një mundësi e shkëlqyer për t’i afruar bashkitë me shoqërinë civile, komunitetet dhe qytetarët e Shqipërisë që janë të prirur të eksplorojnë qasje të reja për të ndërvepruar me të gjithë aktorët lokalë për një shoqëri më të gjallë dhe demokraci lokale. Pres me padurim të shoh 13 bashki të përkushtuara për të bashkuar forcat me UNDP-në dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin me sektorin e shoqërisë civile, në mënyrë që të fuqizojnë komunitetet e tyre në përgjithësi dhe rininë e tyre në veçanti, për të marrë një rol më aktiv në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet e tyre.” – u shpreh Monica Merino, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD në Shqipëri.
Perspektiva rajonale e ReLOaD2, arritjet dhe mësimet e nxjerra nga faza e parë, u prezantuan gjatë eventit. Në fund të aktivitetit, kryetarët e bashkive nënshkruan Certifikatën e Konfirmimit dhe angazhimin për të punuar së bashku për të garantuar qeverisje vendore sa më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të hapur për qytetarët.
ReLOaD2 financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, me shumën prej 13.5 milionë Euro. Projekti do të përfshijë mbi 50 bashki dhe qytete në të gjashtë vendet; Rreth 300 organizata të shoqërisë civile do të zbatojnë projekte dhe do të përfitojnë rreth 40 mijë qytetarë gjatë periudhës katërvjeçare, 2021 – 2024.