Teksa mbushen gati 2 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur 7 persona, në lidhje me dëmet e shkaktuara.

Organi i akuzës ka dorëzuar dosjen penale në gjykatën e Tiranës për 7 persona, që i akuzon si përgjegjës për pasojat që kanë ndodhur në kryeqyte. Të pandehur janë marrë për shpërdorim detyre ish-drejtuesi i zyrës së urbanistikës pranë njësisë administrative Farkë, Viron Çipi dhe dy ish-vartës të tij. Pasi sipas prokurorisë nga hetimet dy vjeçare ka rezultuar se kanë miratuar lejë ndërtimi në mungesë dokumentacioni.

Të pandehur janë marrë edhe dy ish kryeinspektorët e Inspektoriatit Ndërtimor në Farkë pasi, nga hetimet organi i akuzës ka konstatuar se ata nuk kanë kontrolluar si duhet dokumentacionin e ndërtimeve dhe për këtë arsye nuk kanë konstatuar mangësi. Gjithashtu prokuroria bën me dije se është marrë i pandehur edhe subjekti juridik, ‘Agi Beshalili’, pasi ka ndërtuar një pallat të dëmtuar nga lëkundjes e 26 nëntorit 2019.

Kjo është vetëm një nga dosjet që po hetohet për pasojat shkatërrimtare të tërmetit të 26 nëntorit. Më herët prokuroria ka dërguar për gjykim një subjekt dhe një person i pandehur i cili është dënuar nga gjykata e shkallës së parë dhe pritet verdikti në apel ndërkohë që ka edhe dhjetra të dyshuar të tjerë që janë nën hetim nga ana e prokurorisë. /BW