Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Edret Çapokun.

Çapoku vrau kunatën e tij në sy të vajzës së mitur në zonën e Paskuqanit në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e viktimës, Enkeleda Çapoku, ku ajo jetonte vetëm me vajzën e mitur pasi bashkëshorti i saj ndodhej në burg.

34-vjeçari ka shkuar në banesën e kunatës dhe pasi ka shqyer derën është futur në dhomën e gjumit të viktimës, aty ku ka kryer dhe aktin makabër. Erdeti fillimisht e ka goditur me levë Enkeledën dhe pasi e ka lënë pa ndjenja, e ka prerë me thikë në fytyrë dhe damarët e dorës, duke e lënë të vdekur.

Enkeleda Çapoku kishte marrë një urdhër-mbrojtjeje pasi prej disa kohësh kunati e gjurmonte, i bënte foto dhe video dhe e kërcënonte. Nga frika ajo mbante në shtëpi edhe nënën e saj e cila gjithashtu mori plagë gjatë ngjarjes.