Kushërira e 17-vjeçares Gentiana Mustafaj, e cila ndërroi jetë gjatë sulmit me armë ndaj autobusit të nxënësve në Gllogjan të Deçanit, tha për mediat kosovare se familja e tyre ndodhet në shok si pasojë e ngjarjes së rëndë të ndodhur.
Ajo shtoi se 17-vjeçarje ishte nxënëse e mjekësisë dhe kishte ëndërr të bëhej doktoreshë. Sulmi sipas saj ndodhi në orarin e përditshëm kur autobusi i nxënësve bënte transportimin e tyre nga shkolla drejt banesave.
“Ka qenë 17-vjeçare shkonte shkollën e mjekësisë dhe ka qenë duke u kthyer nga shkolla. Ka qenë orari i shkollës dhe ky ka qenë orari që u kthy çdo ditë me linjë të autobusit, sikurse e kanë gjithë nxënësit. Familjarët janë të shokuar, dhe është një gjendje shumë e rëndë në familje. Ajo asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash për tek linja e autobusit. Dëshira e saj ka qenë të jetë një doktoreshë në të ardhmen”, tha ajo.





