Moti i keq dhe deti i dallgëzuar ka sjellë probleme në portin e Vlorës. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi nuk ka mundur të ankorohet mëngjesin e sotëm në port për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të mëdha.

Sipas A2, trageti sapo u akostua në port, iu këputën të gjithë litarët dhe trageti doli përsëri në radën e Vlorës, në pritje të përmirësimit të kushteve hidrometeorologjike. Sipas kapitanerisë së portit, pritet që pas mesditës të përmirësohen kushtet mjaftueshëm për bërë të mundur ankorimin.

Sipas të dhënave zyrtare në traget ndodhen 129 pasagjerë dhe 35 anëtarë të ekuipazhit, të cilët nuk kanë mundur të zbresin dhe janë duke qëndruar në det të hapur.

Moti i keq ka shkaktuar vonesa edhe në nisjen e trageteve nga Durrësi drejt Barit.