Don Arjan Dodaj është emëruar nga Papa Françesku si Arqipeshkvi i ri i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Don Arjan Dodaj do të zëvendësojë në këtë post, imzot George Frendo, i cili doli në pension.

Po kush është imzot Arjan Dodaj:

Meshtari i mirënjohur, don Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryediqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë.

Më 1977 kërkoi të pranohej në Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvëndës-famullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2027, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.