Në Gjykatën e Posaçme u paraqiten dy të mitur për të dëshmuar në procesin ndaj Redjan Rrajës dhe Arjol Halilaj, që akuzohen për atentatin ndaj prokuroit Arjan Ndoja, ngjarje që ka ndodhur më 1 nëntor 2019 në Durrës.
Fëmijët që ishin duke lozur me biçikletë kanë parë autorët të cilët pas atentatit braktisën makinën në Shkafanë.
Mirëpo fëmijët nuk kanë arritur të japin dëshminë që ndoshta do të zbardhte edhe ngjarjen, pasi seanca është shtyrë sepse mungonte avokati i Redjan Rrajës.
Fëmijët kanë treguar se pasi ata kanë braktisur makinën (flitet për atentatorët), pranë tyre ka ardhur një automjet me targa Durrësi dhe personi që e drejtonte ka kërcënuar Redjan Rrajën. “Do të pres fytin” i ka thënë personi nga Durrësi Redjan Rrajës, kanë treguar dy të miturit pak kohë më parë. Më pas ata janë trembur dhe janë larguar për në shtëpi.
Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.