Ambasada Amerikane në Tiranë i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin ambientet ku do të mbahet protesta e thirrur nga ish-kryeministri Berisha kundër nismës së Ballkani të Hapur.
Ajo i këshillon qytetarët e saj që të shamngin tubimin, pasi sipas ambasadës, ngjarjet mund të përshkallëzohen.
“Është thirrur protesta për të hënën, më 20 dhjetor, duke filluar nga ora 16:00. Organizatorët e protestës kanë njoftuar se grumbullimi do të nisë në selinë e Partisë Demokratike dhe do të migrojë në afërsi të Kryeministrisë.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.
“Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim.
Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj. Monitoroni mediat lokale për përditësime”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.