Mediat në Serbi kanë pasqyruar protestën e thirrur nga Sali Berisha në Tiranë kundër vizitës së Aleksandër Vuçiç dhe nismës Ballkani i Hapur.
Duke cituar burime nga protesta, mediat në Beograd thonë se ka një skenar për t’i bllokuar rrugën autokolonës së Aleksandër Vuçiç.
“Protestuesit janë ndarë në dy grupe, ku njëri grup po proteston para Kryeministrisë dhe grupi tjetër do t’i bllokojë rrugën Presidentit Vuçiç kur ky i fundit të udhëtojë nga aeroporti në drejtim të Tiranës”, shkruan “Novosti”.
Nga zhvillimet në Tiranë, informacioni “i burimeve” të medias serbe duket i pasaktë, pasi deri më tani nuk ka dy grupe protestuesish, por vetëm një të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, ku është edhe vetë Sali Berisha dhe mbështetësit e tij.
E njëjta medie thotë se Ambasada e SHBA në Tiranë ka këshilluar qytetarët e saj që të shmangin tubimet në qytet.