Kryeministri Rama ka reaguar pas djegies së flamurit serb gjatë protestës së organizuar në Berisha.

Rama është shprehur se edhe kur ai ka shkuar në Beograd, qyteti ka qenë i mbushur me flamuj të Shqipërisë.

Ai shtoi se edhe ata që dogjën flamurin shqiptar atje u arrestuan nga autoritetet vendase.

Nuk munguan edhe notat e vetëlavdërimit kur Rama tha se ka kërkuar njohjen e Kosovës në mes të Pallatit Presidencial në Beograd.

Komentet Rama i ka bërë gjatë replikave me një komentues në Facebook.

“E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia;

e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht;

e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë;

e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar;

e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”, shprehet Rama.