Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e 30-vjeçarit Can Kariçi, mbrëmjen e kaluar, në Bathore të Kamzës. Policia ka gjetur brenda makinës së viktimës një armë zjarri tip pistoletë, që dyshohet se është përdorur në një tjetër ngjarje kriminale.
Kjo edhe për shkak se viktima ishte me precedentë penalë, ndërsa arma e gjetur në mjetin e tij është dërguar në laborator për ekspertim.
Pistat hetimore janë fokusuar në të shkuarën kriminale të viktimës, pasi sipas informacioneve të policisë, ai ishte pjesë e një grupi kriminal, ku bënin pjesë edhe dy viktimat e nëntorit në Astir, Eriges Mihasin dhe Armand Dumani, dhe dyshohet se vrasjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.
30-vjeçari Kariçi është konstatuar i plagosur rëndë brenda mjetit të tij nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar policinë. Pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti dhe mjetin e djegur të autorëve, brenda të cilit u gjet një armë tip kallashnikov, që dyshohet të jetë përdorur në krim.