Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon qartësim të ligjit të dekriminalizimit. Në një intervistë në A2 CNN, Ilirjan Celibashi shprehet se nisma duhet amenduar për të shmangur interpretimet kur bëhet fjalë për ndërprerjen e mandatit.
Celibashi është i mendimit se ligji për dekriminalizimin nuk e ka të specifikuar qartë këtë çështje.
“Ndoshta disa përkufizime në lidhje me kushtet e ndalimit. Duhet të ketë qartësi më të madhe në kodin zgjedhor në mënyrë që të mos jenë pjesë e diskutimeve apo interpretimeve, sipas interesit politik apo interesave të tjera”, shprehet Celibashi.
Ligji i dekriminalizimit është cilësuar nga juristët si tepër i rëndë, por për drejtuesin e KQZ, efektet e tij kanë qenë pozitive.
“Në tërësi ky ligj ka justifikuar qëllimin edhe pse secili prej nesh ka kriticizmin e vet se sa proporcional është ky ligj për të pasur institucione përfaqësuese të pastra në kuptim të përbërjes së tij”, shtoi Celibashi.