Dhjetori është muaji i festimeve dhe gëzimeve. Të shumta janë vajzat dhe gratë që mendojnë se si duhet të kombinohen në mbrëmjet festive. Sipas trendeve të modës mbeten të preferuara fustanet e gjatë, pantallonat klasike, ose ato të lëkurës si dhe fundet e streçet.

Për të folur më tepër rreth kësaj teme ishte e ftuar në studion e “Jeto me Orën” stilistja Marsela Kamberi.

Kamberi tregoi se më e rëndësishmja edhe në këtë periudhë festive është të ndihemi mirë me atë çfarë veshim.

“Rëndësi ka që të ndihemi mirë me atë çfarë kemi veshur dhe çdo lloj veshje është e bukur në tërësi. E kuqja është ajo ngjyrë që tërheq më shumë këtë fundvit dhe në çdo fundvit ka qenë një nga ngjyrat e preferuara në veshje. Materialet si saten nuk dalin kurrë nga moda kështu që pse jo dhe diçka saten do ishte shumë bukur apo edhe diçka me temina” u shpreh Kamberi.

Ajo tregoi se duhet të kemi shumë kujdes kur rëndohemi tepër.

“Kur vajzat vishen me një fustan i gjithë me temina duhet të kenë shumë kujdes pasi mund ta ekzagjerojnë dhe të dalin shumë të rënduara. Kështu që me një fustan me temina do të rekomandoja një palë vathë të thjesht dhe një byrzylyk, asgjë më tepër,” u shpreh stilistja.

Ajo tregoi se veshjet e preferuara tek klientet e saj mbeten fustanet saten si dhe veshjet me temina.

“Fustanet saten të tregojnë shumë bukur dhe klas është një zgjedhje shumë e mirë pavarësisht ngjyrës që preferon për fustanin ka pasur të bardhë, të kuqe por edhe ngjyrën e zezë. Ndërsa tek teminat preferojnë pantallona me xhaketë apo edhe fustanet e shkurtër në formë këmishe. Kjo veshje duket bukur tek një femër që ka një trup të mirë” u shpreh stilistja Kamberi.

Sa për make-up dhe modelin e flokëve stilistja rekomandoi diçka minimaliste kur keni të veshur një fustan madhështor. Ndërsa për të gjitha ato femra që do të kalojnë një mbrëmje familjare stilistja sugjeroj kostumet.

“Kostumet janë diçka shumë e bukur dhe e thjeshtë që nuk të tregojnë asnjëherë keq dhe dukesh shumë klas dhe mund at ripërdorni,” përfundoi stilistja.