Moti i mirë dhe me diell do të vijojë të jetë prezent dhe gjatë kësaj jave. Vetëm në fundjavë pritet që të ketë vranësira dhe reshje shiu kryesisht në zonat malore.
Ky është parashikimi i motit nga sinoptikani Hakil Osmani, i cili tha se në zonat malore mund të ketë dhe reshje dëbore.
“Ky vit i ri ka nisur me një mot të kthjellët. Kryesisht kemi pasur një mbizotërim të motit me diell, në zonat bregdetare dhe në ultësirën perëndimore, kjo do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme. Kalime të vranësirave do të ketë në zonat malore, por nuk priten reshje. Dita e mërkurë dhe e enjte do të shtojë vranësirat në territorin shqiptar, por reshjet e pakta të shiut do të jenë prezentë në zonat veriore, ndërsa pjesa tjetër do të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Të premten dhe gjatë fundjavës mund të kemi reshje, por nuk do jenë në sasi të mëdha. Në zonat malore nuk përjashtohet mundësia për reshje dëbore”, u shpreh Hakil Osmani.
Ndërsa për sa i përket temperaturave do të ketë një ulje të tyre, por nuk do të jenë njësoj si në dhjetor kur u ndje dimri i vërtetë.