Një shqetësim kryesor në lidhje me punën në distancë mendohet të jetë fakti se shoqërohet me rënie të produktivitetit.

Situatat stresuese të jetës si pandemitë mund të sjellin ndërlikime të rëndësishme negative për shëndetin mendor dhe funksionimin psikologjik të një individi. Stresi, ankthi, konfuzioni mendor, privimi shoqëror dhe depresioni janë disa shembuj të këtyre çështjeve mendore dhe psikologjike.

Në të vërtetë, për punonjësit pa fëmijë, pati një rritje të konsiderueshme të produktivitetit thjesht sepse ata nuk patën një ndryshim rutine nga ajo që zakonisht do të kishin në zyrë. Por, ekspertët nënvizojnë se, reduktimi i takimeve, largimi nga mjedisi i hapur i zyrave dhe kështu me radhë, të gjitha kontribuojnë në një ulje graduale të produktivitetit tonë.

Nga ana tjetër, familjet me fëmijë, të cilat punuan nga shtëpia, patën disa faktorë shtesë stresues që ndikoi në uljen e produktivitetit, duke marrë në konsideratë kujdesin për fëmijët, si dhe mësimin online, për të cilin prindërit patën angazhim të konsiderueshëm.

Ekspertët e shëndetit mendor thonë se përvojat në karantinë për shkak të COVID-19 shkaktojnë stres, frikë dhe zhgënjim tek individët. Në mënyrë të ngjashme, pasiguria për shkak të COVID-19 shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në rutinën e përditshme që mund të rrisin stresin, depresionin dhe ankthin.

Megjithatë, bëhet e vështirë për kompanitë që të ruajnë qëndrueshmërinë në punën e tyre në situata të pasigurta të jashtme, që mund të ndikojnë në mirëqenien e punonjësve. Këto situata të pasigurta, siç është pandemia COVID-19, mund të shkaktojnë stres i cili pengon rendimentin e punonjësve.

Rreziqet që mbizotërojnë në mjedisin e punës për shkak të pandemive jo vetëm që tërheqin vëmendjen e punonjësve nga puna, por gjithashtu kërcënojnë mbijetesën e tyre në vendin e punës, duke shkaktuar probleme shëndetësore. Një element tjetër që duket se ka ndikuar produktivitetin e punonjësve ka qenë edhe pesimizmi për situatën, frika nga infektimi, apo humbja e njerëzve të dashur.

Ndikimi
Lista e profesioneve të individëve që kërkojnë ndihmë për shëndetin mendor ka specifika, por padyshim të gjithë kanë përjetuar gjendje ankthi.

“Shqetësimet nga kriza kanë ndikuar në produktivitetin e punonjësve”

Tregu iu jep mësimet e duhura të gjithë kompanive, edhe nën “pushtetin” e COVID. Kështu shprehet Erald Pashaj, drejtuesi i EPPC.

Periudha krizash të tilla nuk kanë tipar dallues produktivitetin, shton ai, duke e vënë theksin tek aftësitë e ndryshme të kompanive për të menaxhuar situatën. Sipas z. Pashaj, punëdhënësit e huaj kanë performuar më mirë në menaxhim dhe produktivitet.

Cila është e ardhmja e punësimit gjatë dhe pas COVID?

Vështirë që të bëhen parashikime të tilla vetëm për punësimin në veçanti, sepse ai është i lidhur drejtpërdrejt me ekonominë. Pikënisja jonë është ekonomia dhe ecuria e saj, e për rrjedhojë, edhe punësimi. Duke thënë këtë, ne kemi vënë re në Shqipëri që punësimi është ndikuar nga ecuria e ekonomisë sonë, por edhe nga ecuria e ekonomisë së vendeve afër nesh, ku më kryesorja është Italia, por edhe Mali i Zi, Kroacia.

Ecuria dhe nevoja në Itali për punonjës në disa sektorë si p.sh. informatika, kujdesi shëndetësor, shërbimi ndaj klientit, prodhimi, etj., ndikon drejtpërdrejt punësimin në Shqipëri. Por edhe ecuria dhe nevoja në Kroaci dhe Mal të Zi, ka ndikuar drejtpërdrejt punësimin në Shqipëri në sektorin e ndërtimit dhe atë të shërbimeve të hotelerisë dhe turizmit.

Kërkesa ka ndikuar në uljen e forcës së punës në vend. Ndërkohë dhe ecuria e ekonomisë sonë në turizëm dhe ndërtim ka rritur ofertën e punës. Të mos harrojmë që një ndikim negativ të gjithanshëm në ekonominë tonë dhe punësim ka edhe largimi i njerëzve jashtë Shqipërisë.

Rreth 80 mijë persona janë larguar për një vit nga vendi. Nga sa më lart ne parashikojmë që tani e në vazhdim, tregu i punës në vend do të ketë dinamika më të forta, të cilat do të përkthehen në paga më të larta, kushte më të mira puna, por edhe qarkullim më të lartë punonjësish dhe vështirësi edhe më të madhe për të gjetur punonjës. Këto dinamika do të vazhdojnë derisa kërkesa dhe oferta të fillojnë t’i afrohen një ekuilibri të ri.

A keni vëzhguar një ndryshim në produktivitetin e punonjësve gjatë këtyre dy viteve? Nëse po, në cilët sektorë?

Periudhat e krizave të tilla nuk kanë tipar dallues produktivitetin. Përkundrazi, produktiviteti bie, orët e punës reduktohen, eficienca në punë ulet dhe shqetësimet nga kriza ndikojnë më shumë mendjen dhe punën e kujtdo. Ne kemi konstatuar një rritje të kërkesës për punësim për të përballuar volumet ekzistuese dhe me rritje në disa raste. Kemi pak a shumë të njëjtin volum biznesi, si në vitin 2019, por ndërkohë kërkesa për punëtorë është rritur më shpejt sesa rritja e volumeve në biznes.

Nga ky këndvështrim, gjykoj se produktiviteti ka rënë ose më saktë po shkon në ekuilibër, sepse më parë mbingarkesa në punë, puna orar pa orar, kanë qenë norma, sidomos në sektorë si hoteleri-turizmi, prodhimi, ndërtimi, etj.

Si mendoni, a ka qenë efektiv menaxhimi i situatës këto dy vite nga punëdhënësit në Shqipëri?

Mendoj se punëdhënësit më të mirë në vend e kanë menaxhuar mirë situatën. Punëdhënësit më të mirë janë punëdhënësit e huaj (kompanitë ndërkombëtare), sektori financiar, telekomunikacioni, farmaceutika, teknologjia e informacionit, etj.

Madje janë bërë edhe shumë më socialë sesa kanë qenë më parë, më të mirëkuptueshëm dhe më të përkujdesur me punonjësit, një tipar që nuk ka qenë i pranishëm mjaftueshëm në mjedisin e punës. Punëdhënësit e mirë kanë aplikuar punën nga shtëpia, kanë paguar të plotë ditët e mungesave të punonjësve të sëmurë me COVID, por edhe qëndrimin në shtëpi për familjarët e tyre. Më vjen mirë që kanë parë një përkujdesje më të madhe dhe ky është një aspekt social për t’u vlerësuar.

Natyrisht, punëdhënësit nuk janë të gjithë njësoj, dhe përveç atyre të lartpërmendur ka shumë të tjerë që nuk e kanë menaxhuar siç duhet. Ata ankohen për faktorët e jashtëm që askush nuk i ka nën kontroll, fajësojnë tregun dhe Shqipërinë për problemet e tyre të brendshme dhe natyrisht që kur nuk e sheh problemin tek vetja, edhe situata menaxhohet me emocione dhe me kokëfortësi ndaj rregullave të tregut të punës. Sigurisht, tregu iu jep mësimet e duhura të gjithëve.

Kategoria e profesioneve që pritet të rriten gjatë pandemisë:

Ndërtimi. (Inxhinier ndërtimi; Konstruktorë; Teknik; Hekurlidhës mjeshtër; Hekurlidhës punëtorë; Muratorë; Punëtorë gipsi; Elektricistë; Hidraulikë, etj.) Rritja në këta sektorë vazhdon si për shkak të rindërtimit dhe punëve publike, por edhe të fluksit të madh ndërtues në Tiranë dhe në vijën bregdetare.
Teknologjia e Informacionit. (Zhvillues; Mirëmbajtës rrjeti, Siguri informatike, etj.) Rritja në këtë sektor është kërkesë e kohës së çdo biznesi, por edhe kërkesa nga jashtë për specialist të këtij sektori është ende e qëndrueshme.
Kujdesi shëndetësor. (Mjekë; Infermierë; Terapistë; Laborantë; Inxhinierë, etj.) Situata aktuale dhe kërkesa nga jashtë janë faktorët kryesorë që ndikojnë rritjen në këtë sektor.

Puna në largësi. (Tele-operatorët; Rezervues online; Hedhës të dhënash; Kujdesi ndaj klientit nëpërmjet kanaleve dixhitale, etj.) Ky sektor do të njohë rritje kryesisht për shkak të kërkesës nga jashtë, ku mbizotëron kërkesa nga Italia dhe pavarësisht rritjes së pagave në këtë sektor, përsëri mbetemi shumë konkurrues në tregun e punës krahasimisht me vendet perëndime. Njëkohësisht pritet rritje edhe nga bizneset vendase, si një mënyrë e mirë alternative për të përmirësuar biznesin

Studimi i Friedrich Ebert, si ndikoi pandemia në performancën në punë në Shqipëri

Mënyra se si pandemia e COVID-19 ndikoi te shëndeti mendor i punonjësve, në studimin më të fundit të Friedrich Ebert Stiftung, u mat me nivelin e përjetimit të simptomave të stresit të shkaktuar nga COVID-19. Kjo zgjedhje u bë për faktin se siç u prek në pjesën e prezantimit teorik, simptomat e stresit gjatë kësaj periudhe u lidhën si me shqetësimin mbi shëndetin, ashtu dhe me ndryshimin e stilit të jetesës. Për rrjedhojë, ato kanë potencialin të ndikojnë në cilësinë e jetës së individëve.

Edhe performanca dhe kënaqësia në punë u ndikua nga COVID, sipas studimit. Gjetjet e këtij studimi tregojnë se pjesa më e madhe e punonjësve (49.2%) kanë përjetuar nivel normal stresi, por një pjesë jo e vogël e tyre (42.2%) kanë përjetuar nivel stresi të lehtë më të moderuar dhe një pjesë më e vogël (8.6%) e tyre ka përjetuar nivel të lartë stresi.

Është e nevojshme të shpjegohet se niveli i moderuar i stresit krijon një gjendje diskomforti tek individi dhe e predispozon atë që të reagojë emocionalisht në mënyrë jo proporcionale ndaj problemeve të ndryshme që shfaqen gjatë ditës. Për më tepër, duket se ky nivel i stresit çon në rritje të pakënaqësisë, ulje të vetëvlerësimit dhe mungesë të kontrollit të sjelljes, duke ndikuar negativisht tek mirëqenia e individit.

Duke marrë në konsideratë faktin se simptomat e stresit të matura në këtë studim lidhen vetëm me efektin e COVID-19, duhet pohuar se pandemia ka ndikuar negativisht te mirëqenia e një pjese të konsiderueshme të punonjësve (50.8%).

Efekti i pandemisë së COVID-19 te kënaqësia në punë

Kënaqësia në punë është një perceptim individual, kështu që ndryshimet e rrethanave për shkak të pandemisë nuk mund të jenë i vetmi faktor ndikues në zhvillimin e ndjesisë së përgjithshme të punonjësve, nënvizon studimi. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, duhet pohuar se mënyra se si pandemia ndikon në jetën personale dhe profesionale të punonjësve është një çështje komplekse.

Kjo vërehet dhe nga fakti se studimet e kryera gjatë kohës së pandemisë kanë identifikuar edhe faktorë që e rrisin nivelin e kënaqësisë në punë, po ashtu dhe faktorë që e ulin atë. Studimi gjeti se pjesa më e madhe e punonjësve janë të kënaqur në punën e tyre.

Edhe pse në pamje të parë mund të duket kontradiktor fakti se pandemia ka ndikuar negativisht në shëndetin mendor të punonjësve, por kënaqësia në punë e tyre është e lartë. Kjo mund t’i atribuohet faktit se punonjësit kanë arritur të mbajnë vendin e punës edhe në një kohë të pasigurt nga aspekti financiar.

a) Diferenca gjinore në përjetimin e stresit për shkak të COVID-19 dhe nivelin e kënaqësisë në punë

Rezultatet e përftuara nga studimi tregojnë se nuk ka diferenca të dukshme gjinore në mënyrën se si pandemia e COVID-19 ka ndikuar në shëndetin mendor të punonjësve dhe kënaqësinë e tyre në punë.

Kërkimet mbi këtë çështje botërore tregojnë nga ana tjetër se femrat janë më të predispozuara se meshkujt për të zhvilluar simptoma të cilat lidhen me probleme të ndryshme të shëndetit mendor siç janë depresioni, ankthi, apo probleme të gjumit. Por ato gjithashtu ishin më të prirura se sa meshkujt për të përdorur strategji të ndryshme për t’i përballuar siç janë ndërmarrja e veprimeve konkrete për të menaxhuar faktorët stresues të lidhur me pandeminë, apo kërkimi i ndihmës te të tjerët.

Këto të dhëna janë në koherencë me gjetjet e studimit të Eurofund, i cili arriti në konkluzionin se femrat janë prekur më shumë nga efekti i pandemisë në muajt e parë të saj, por ato kanë shfaqur përmirësim të gjendjes së tyre me ritme më të shpejta se meshkujt duke arritur të njëjtat nivele (Eurofund, 2021).

b.Efekti i pandemisë së COVID-19 te performanca e punës

Performanca e punës është një tjetër element i rëndësishëm i jetës profesionale të një individi. Studimet kanë treguar se ndryshimet e mënyrës së të punuarit dhe perceptimi mbi rrezikun e shëndetit gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19 kanë ndikuar në mënyra dhe intensitet të ndryshëm te punonjësit.

Puna nga shtëpia kishte një ndikim pozitiv në jetën profesionale të individëve, për shkak të uljes së kohës apo kostos së udhëtimit nga shtëpia në punë, rritjen e pavarësisë në punë, fleksibilitetin e ditëve të punës, si dhe rritjen e kohës së lirë të punonjësve (Tusl et al, 2021). Nga ana tjetër, elemente si mbajtja e maskës, distanca fizike, larja e shpeshtë e duarve ndikuan negativisht në performancën e punës te punonjësit.

Gjetjet e këtij studimi tregojnë se punonjësit kanë shfaqur nivel të kënaqshëm të performancës në punë gjatë kohës së pandemisë. Arsyet e këtij rezultati mund të lidhen me aftësitë personale të punonjësve për t’u përshtatur me ndryshimet në mënyrën e të punuarit dhe për të përfituar nga mundësitë e reja të krijuara siç është të punuarit nga shtëpia.

Gjithashtu, është me vend të përmendet se mosha, përvoja e punës dhe statusi civil i punonjësve janë faktorë të cilët e moderojnë efektin e pandemisë te performanca. Kjo çështje ka rëndësi të veçantë si për punëmarrësit, ashtu dhe për punëdhënësit, prandaj vlen të jetë objekt i studimeve të mëtejshme.

Marrëdhënia e stresit për shkak të COVID-19 me performancën dhe kënaqësinë në punë. Një nga qëllimet e këtij studimi është të përcaktojë marrëdhënien midis stresit të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, kënaqësisë në punë dhe performancës. Të dhënat treguan se rritja e nivelit të stresit ndikon negativisht te kënaqësia në punë dhe performanca e punonjësve.

Nga ana tjetër, niveli i lartë i kënaqësisë në punë ka rritur performancën e punonjësve. Këto gjetje janë në koherencë të plotë me studime të tjera që e theksojnë ekzistencën e marrëdhënies midis këtyre faktorëve, por ato duhet të lexohen me kujdes.

Stresi i përjetuar nga punonjësit, edhe pse mund të ndikojë në uljen e kënaqësisë në punë dhe performancë, duket se efekti i tij nuk është mjaftueshëm i fortë për t’i çuar ato në nivele të ulëta. Nga ana tjetër, ndikimi pozitiv i kënaqësisë në punë te performanca mund të ketë moderuar efektin negativ të stresit.

Për më tepër, perceptimi i disa faktorëve pozitivë të lidhur me pandeminë të përmendura më lart, siç janë qasja pozitive për të zgjidhur problemet apo shfrytëzimi i kohës së lirë me njerëzit e dashur, mund të kenë ndikuar pozitivisht në aftësitë e punonjësve për t’u përballuar me stresin duke ulur efektin negativ të tij. /Monitor