Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri këtë të hënë ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjyqtari Florjan Kalaja, i cili u caktua si pjesë e trupës gjyqësore, kërkoi kohë të njihet me aktet. Kalaja u vendos pas dorëheqjes së Daniela Shirkës, në prag të mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Prokuroria nisi hetimet ndaj Saimir Tahirit pas disa përgjimeve telefonike në Itali të grupit “Habilaj”.

Më 20 shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” duke e dënuar atë me 5 vite heqje lirie, dënim i pezulluar nga gjykata për t’u konvertuar në 3 vite shërbim prove.

Ish-ministri gjithashtu u akuzua për “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, por ato u rrëzuan nga gjykata.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ish-ministri Tahiri kërkon të shpallet i pafajshëm kurse Prokuroria pretendon dënim për trafik droge.