Kjo javë ka nisur me mot të paqëndrueshëm dhe me vranësira në gjithë vendin. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, situata do të vijojë e tillë edhe për tre ditët në vijim. Ndërkohë që temperaturat e ajrit janë më të larta se java e shkuar.
“Konkretisht, kjo javë ka nisur me vranësira të dendura, pritet që deri ditën e enjte t’i kemi shumë prezente vranësirat, intervalet me kthjellime kryeshisht në mesditë. Temperaturat e ajrit kanë pësuar një rritje goxha të ndjeshme nëse i referohemi javës së shkuar, ku vlerat minimale janë jo më shumë se minus 3 apo minus 4 dhe maksimalet shkojnë edhe 14 gradë”, tha Lajda Porja nga MeteoAlb.
Pas mesit të javës pritet që Gadishulli i Ballkanit, por edhe vendi ynë të goditet sërish nga i ftohti polar.
“E premtja dhe fundjava do të goditen sërish nga i ftohti polar duke risjellë temperatura shumë të ulëta dhe reshjet e dëborës në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Parashikohet që të kemi sërish goditje të këtyre masave të ftohta siç i patëm javën e shkuar.
Temperaturat e këtij dimri dhe kryesisht të janarit janë tipike me dimrat e para viteve `90.
“Ky janar është parashikuar që të jetë një janar i freskët, temperaturat do të jenë të paktën 2.5 gradë më të ulëta krahasuar me një janar tipik, të cilin jemi mësuar që të përjetojmë. Do të kemi sërish temperatura të ulëta”.
Sinoptikanët thonë se për shkak të prezencës së lartë të lagështirës, i ftohti ndihet më tepër.