Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar gjykatës pushimin e hetimeve për disa ish-gjyqtarë që u kallëzuan penalisht nga avokati Fran Dashi. Bëhet fjalë për ish-gjytarët: Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari, Tom Ndreca dhe Xhezahir Zaganjori.

Kërkesa për pushimin e çështjes është dërguar në GJKKO dhe kjo e fundit do të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën. SPAK bën me dije se kërkesa për pushimin e çështjes është bërë pasi nuk ka elementë të veprës penale, por ka disa pasaktësi në deklarimin e pasurive, të natyrës administrative.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për Bashkim Dedjan, Shkelzen Selimin, Admir Thanzen Fatos Lulon dhe Guxim Zenelaj.

“Aleksandër Muskaj, ArtanZeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari, Tom Ndreca dhe Xhezahir Zaganjori, mund të kenë patur pasaktësi, që klasifikohen të natyrës administrative apo jo në përputhje me ligjin nr. 84/2016., por që nuk përmbajnë elementë të veprës penale, të deklarimit të rremë apo fshehjes së pasurive.

Pushimin e çështjes penale nr. 137/2020 regjistruar për veprat penale të Refuzimi për deklarim, mos deklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”, thuhet në njoftimin e SPAK.