Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në konferencë për media ka thënë se nga 30 mostrat që kanë dërguar për analiza në Gjermani, tri prej tyre kanë rezultuar pozitivë për variantin e ri të Covid-19.
“Ditëve të kaluara IKSHPK ka dërguar 30 mostra për testim në Gjermani, për variantin e ri të virusit pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të botës. Nga rezultatet e marra tri mostra kanë rezultuar pozitive në testimin preliminar në variantin B117”, ka thënë Zemaj.
Ai ka shtuar se ky variant është raportuar për herë të partë në Britaninë e Madhe. Zemaj ka shtuar se situatën epidemiologjike jemi duke e monitoruar në vazhdimësi dhe paraqitet stabile dhe e qetë.
Në anën tjetër drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se janë duke u hulumtuar kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitiv me variantin e ri të koronavirusit. Ramadani ka shtuar se masat parandaluese janë të njëjta.





