I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje shiu dhe dëbore.
Ndaj, nëse po mendoni të bëni udhëtim në një vend turistik, duhet ta rimendoni sepse temperaturat do të jenë ekstreme në 5 ditët e ardhshme.
Kështu bëri me dije ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Tregohuni të kujdesshëm, ecni me ngadalë me pajisjet e duhura, vendosni rripin e sigurisë. Ne do t’ju garantojmë të gjitha rrugët e hapura. Nuk është rasti për të udhëtuar në 5 ditët e ardhshme. Do të ketë temperatura shumë të ulëta dhe do të shkaktojnë probleme. Ne do t’ia dalim në këtë sfidë më motin por sigurisht që do të na duhet ndihma juaj. Të jemi të kujdesshëm në rrugë dhe të kursejmë energjinë elektrike“, apelon ministrja.
Ndër të tjera sqaroi se do të ketë avari të energjisë elektrike për shkak të erës dhe temperatura të ulëta, ndaj kërkon që të mirëkuptohet cdo situatë.
Ndër të tjera theksoi se qeveria do të mbrojë të gjithë konsumatorët, por kërkon që të mos shpërdorohet energjia elektrike.
“Duhet kuptuar që për shkak të kushteve atmosferike shumë të rënduara, për shkak të erës së fuqishme, temperaturave minus shumë të ulëta, por edhe dëborës që do të bjerë nëpër rajone të ndryshme mund të kemi edhe avari gjatë këtyre 5 ditëve, të cilat ne do të mundohemi me të gjithë njerëzit tanë që janë kudo të shpërndarë nëpër Shqipëri në gatishmëri në këto momente që ti sistemojmë sa më parë, që të kthejmë rrjetin energjetik menjëherë në çdo banesë, në çdo biznes. Megjithatë kërkohet mirëkuptimi juaj.
Do të kërkoja edhe diçka tjetër. Pikërisht për shkak të konsumit të madh, pikërisht se çdo familje do të kërkojë që të qëndrojë në të ngrohtë, apo edhe industria do të duhet që të ofrojë më shumë shërbime në këto ditë të ftohta, do të kërkoj që të jemi të kujdesshëm, të mos e shpërdorojmë energjinë, të mundohemi dhe të kuptojmë që kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe në vendin tonë ne po punojmë që gjithçka të jetë normale.
Mos harrojmë që Qeveria Shqiptare ka vendosur që të mbrojë të gjithë konsumatorët, qofshin këta familjarë, bizneset e vogla apo bizneset e mesme nga kriza energjetike, kështu që së bashku në këtë moment ne duhet ti qëndrojmë këtij sulmi, këtij sulmi natyror, i cili do të zgjasë pak ditë, por që do të na vejë në një sprovë të re”, tha Balluku.