Policia e Kavajës ka arrestuar një 32-vjeçar, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-gruas së tij.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se i arrestuari në flagrancë është shtetasi Kastriot Dema. Krahas tij janë proceduar penalisht edhe dy persona të tjerë, të përfshirë në sherr.

Shtetasit G. B dhe F. V., kuzhinier dhe kamarier në restorantin e Demës, kanë ndërhyrë gjatë konfliktit dhe e kanë goditur 32-vjeçarin, i cili ndodhet i shtuar në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. D., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” gjatë një konflikti për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij e cila u pajis me Urdhër të Menjëhershëm të Mbrojtjes. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasit G. B dhe F. V., pasi kanë ndërhyrë gjatë konfliktit nëpërmjet shtetasve të lartpërmendur duke goditur shtetasin K. D., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”,– njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në ngarkim të shtetasit K. D (i arrestuar) dhe për veprën penale “Plagosje e lehtë në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve G. B dhe F. V, të proceduar në gjendje të lirë.