Florian Përvathi ka mbërritur sot para gjykatës në Lezhë për t’u njohur me masën e sigurisë. Për 17-vjeçarin, i cili të hënën vrau 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

I riu dyshohet se kishte kohë që përgatitej të merrte hak për vrasjen e babait të tij. Ai ka dëshmuar në polici se armën me të cilin kreu krimin kishte një vit që e kishte siguruar.

Pas ngjarjes 17-vjeçari shkoi tek zyra e informacionit në Komisariatin e Policisë Lezhë, la armën mbi tavolinë dhe i traumatizuar e në gjendje të rënduar psikologjike u tha oficerëve se kishte qëlluar me armë. Menjëherë blutë u vunë në lëvizje dhe të orientuar nga i riu të cilin e morën me vete, shkuan në vendin e ngjarjes. Aty gjetën të vrarë 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, vëllai i Ndue Lekgjonaj, që vrau babain e adoleshentit në vitin 2009, kur ai ishte vetëm 4 vjeç.

Florian Përvathi nuk ka shprehur pendesë përpara uniformave blu. Gjatë marrjes në pyetje ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por jo i penduar.