Noterja Rezarta Koçi është vënë në prangat e policisë së Tiranës.
Koçi është një personazh i njohur për mediat, pasi në muajin nëntor të vitit të kaluar, pati një shpërthim me tritol makinës së saj.
Rezarta Koçi është një emër i njohur pasi ka shërbyer si asistente e ish-ministrit Eduard Halimi dhe punon si pedagoge në një universitet privat.
Mirëpo Rezarta Koçi mbeti pa licensën e noteres në maj të 2021-shit, pasi një ankesë në Ministrinë e Drejtësisë solli nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj dhe heqjen përgjithmonë të licensë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Noterja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Vihet në pranga një 40-vjeçare me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noterja”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:
– R. K., 40 vjeçe, me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.





