Në kuadër të ditës botërore kundër kancerit , mjekja e përgjithshme, Brunilda Alimerkaj, prej 14 vitesh e prekur nga kanceri rrëfeu momentin e parë të diagnostikimit me kancer. Ajo tha se bëhet fjalë për 14 vite më parë, ku i frikësohej shumë kësaj patologjie në atë kohë.
“Është një kalvar vuajtjesh, kam qenë vetëm 31 vjeç kur jam diagnostikuar për herë të parë me kancer, bëhet fjalë për 14 vite më parë. Nuk dija se çfarë është, përveç se kisha dëgjuar se është një sëmundje e rrezikshme. Kisha dëgjuar se kushdo që preket nga kjo sëmundje, aty përfundon gjithçka, por jo. Pashë që nuk ishte ashtu. Nuk them se jo, ka qenë shumë e vështirë për mua ta pranoj sëmundjen në trup. Por, sot mendoj që ja kam dal”, u shpreh Alimerkaj.
Më tej ajo u shpreh se forcën për të vazhduar përpara ishin pikërisht dy vajzat e saj.
“Përballja e parë ishte e frikshme, sepse në atë kohë pjesa e informacionit dhe kurimit, trajtimit ishte më e vështirë. Unë kam dy vajza, në atë kohë i kisha fëmijët e vegjël. Për këtë motivi im ishin fëmijët, aty harrova dhimbjet dhe vështirësitë, gjeta forcën brenda vetes për të filluar përpara. Asnjëherë nuk u tregoja në familje për vështirësitë, doja të tregoja vetëm forcën dhe motivin për të filluar jetën dhe ecur me optimizëm”, tha ndër të tjera 45 vjeçarja.
Forca më e madhe për 45 vjeçaren për të përballuar këtë sëmundje kane qenë familja, prindërit dhe motra e saj. “Padyshim që familja, prindërit e mi ishin mbështetja më e madhe. Gjithashtu, motra ka qenë një shtyllë e fortë për mua. Ajo kurrë nuk ka qarë në sytë e mi, por vetëm më ka mbështetur,”-u shpreh 45 vjeçarja në emisionin ‘Jeto me orën’.
Së fundmi, ajo përfundoi me një mesazh për të gjithë njerëzit që janë bashkëvuajtës të kësaj patologjie, ku tha se pavarësisht gjithçkaje jeta vazhdon dhe është e bukur.
“Të flasin me dikë, të shprehin atë që ndjejnë. Nëse duan të qajnë le ta bëjnë, vetëm se duhet forcë dhe të vazhdojnë përpara. Pavarësisht, gjithçkaje jeta vazhdon dhe kurrsesi nuk mund të mposhteni përpara saj”, përfundoi Alimerkaj.
Ndërkohë, mjekja Sinani u shpreh se gjatë kohës së pandemisë numri i të prekurve me këtë patologji u shtua më shumë.
“Gjatë pandemisë ajo që u vu re ishte që vetë patologjia ishte më vunerabël, që u shtua akoma më shumë. Është një situatë e vështirë, por duhet ta marrim më pozitivisht. Shkenca ka avancuar, dhe ecuria e këtyre pacientëve ka ndryshuar”, u shpreh Sinani.
Më tej ajo tha se gjendja shpirtërore, mendore e pacientit ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e trajtimit dhe kurimit të tyre.
“Sigurisht që situata është e vështirë, por ata duhet të jenë më të fortë për ta përballuar. Gjendje shpirtërore dhe mendore sigurisht që ndikon në trajtimin dhe kapërcimin e kësaj patologjie”, tha ndër të tjera ajo.
Ndërsa, Rama tha në studio se ne si shoqëri trashëgojmë një kulturë shumë të mirë, pasi qëndrojmë sa më afër të të prekurve nga këto sëmundje të rrezikueshme.
“Ne si shoqëri kemi një gjë shumë të mirë, ende ruajm disa vlera shumë të mira. Ku miqtë e ngushtë, familjarët qëndrojnë shumë afër të prekurave me këtë sëmundje. Kjo është një terapi le të themi shumë e mirë, pasi këta pacientë kanë nevojë për mbështetje dhe motivim. Edhe kjo lloj qaje ka të dyja anët e medaljes, pasi kjo sëmundje tek ne duket si e pashërueshme. Por, duhet të shohim me optimizëm dhe pozitivitet, nëse kjo sëmundje kapet në fazat e para kapërcehet më lehtë”, u shpreh Rama.
Sipas Ramës, në vendin tonë në një periudhë 1 vjeçare rezultojnë përafërsisht 18 mijë pacientë të prekur nga kanceri.
“Ne në Shqipëri numërojmë në nivel kombëtarë rreth 7 mijë rastë të reja në vit, në total rreth 4 mijë ndërrojnë jetë me kancer në vendin tonë, ndërsa numrin e përgjithshëm me kancer e kemi redi në 18 mijë. Që do të thotë se kjo sëmundje ka shumë nevojë për shërbim spitalor, psikologjik, social, etj”, përfundoi ajo.