Nga BUJAR QESJA

E diel, 6 shkurt 2022. Dielli tenton të dalë nga kafazi dimëror dhe me rreze inatçore, jep shpresën e shumëpritur. Por befas më tërheq vëmëndjen një njoftim dhe shtangem. Kasem Xheneti ka ndrruar jetë. I datëlindjes 29 tetor 1950, Kasemi ndal frymëmarrjen për të mos ndalur ne kujtimet për të. Gati jemi moshatarë, me pak muaj ndryshime. Por ajo që nuk na ndryshoi dhe nuk na tjetërsoj, është dashuria e jashtëzakonshme për Durrësin dhe durrsakët.

Në këtë kohë disi të mbrapshtë, nuk e kemi komoditetin të takojmë miqtë e hershëm, ato të fëmijërisë, me të cilët u rritëm dhe na lidhin kujtime drithëruese. Dhe shokët e parë, mbeten shokët e parë dhe asnjëherë të dytë. Ke ecur në jetë, ke lidhur shumë miqësi dhe shoqëri. Por ajo e para ka rrënjë, ka një lloj nostalgjie që të rrëmben e të josh me një mall të pashuar.

Edhe Kasem Xhenetin, kam vite e vite pa e parë. Por ja dëgjoja “zërin” në fb, pasi reagonte kur flitej për durrsakët, sepse jemi njësoj: kemi mall dhe dashuri për ta. Me Kasem Xhenetin, kaluam vitet e fillores tek shkolla e famshme, nga më të vjetrat në Durrës “10 Korriku”.

Aty ka qenë ajka e mësuesisë durrsake, me emra gjigandësh dhe me peshë të rëndë në historinë e qytetit. Po e nis me drejtuesin ekselenc të shkollës, i madhi Malo Xheneti. E lista pasurohet me florinj të tjerë të arsimit si Naim Babameto, Ramadan Kalaci, Lutfi Çelkupa, Viktori Ninka, Filip Shiroka, Neire Kokona, Milika Bezhani, Vihlemina Prifti, Tom Gjiri, Shpresa Rexha, Simon Kavaja, Ligor Prifti, Magdalena Roço, Anastas Bojaxhiu, Dalamidha Kërtusha, etj. Akoma befasues është fakti, që në vitin 1962 mësim në këtë shkollë, ka dhënë edhe figura madhore e futbollit shqiptar Loro Boriçi.

E në këtë sfond të artë mësuesish të mënçur, është ngacmuar ecuria e jonë. Dhe këtu jam njohur dhe e ruajta deri në fund miqësinë me Kasem Xhenetin, djalin e eruditit Malo Xheneti. Kasemi mbaroi për inxhinjeri mekanike dhe punoi shumë kohë në Ndërmarrjen e Prodhimit të Veshjeve (NPV). Ishte shumë aktiv në problemet që trajtoheshin për Durrësin. Mbeti një mbrojtës i flaktë i traditave më të mira të vendlindjes, duke analizuar çdo problematikë me aftësi të mirfillta intelektuale.

Por ishte në tërësi si të gjithë durrsakët. Nuk binte në sy. Punonte, mendonte dhe i trajtonte gjykimet e tij në heshtje, pa përplasur dorën në tavolinë. Ishte fat dhe kënaqësi njëkohësisht të qendroje me Kasem Xhenetin. Mësoje shumë prej tij. Isha me fat gjithashtu që jeta më lidhi dhe më njohu më këtë intelektual të thekur të Durrësit, me këtë kuadër të një niveli nderues, me këtë njeri më shumë se të mirë dhe të dashur.

Më vrau largimi i tij nga jeta, për të gjitha këto arsyje që po shpreh. Ai nuk është menduar kurrë të bëj gjëra të mëdha, por ti bëj mirë ato që mundet. Heshtja e tij është puna e madhe që bënte, është kultura e rrallë që zotëronte. Edukata familjare dhe kultura tradicionale durrsake, e kishin mësuar të ulte kryet duke ngritur shumë vlerat e punës dhe të identitetit. Dhe kështu mbeti deri në fund të jetës.

Ike i ri miku dhe shoku im i hershëm. Ti lexoja me vëmëndje, shënimet e tua plot dituri e mënçuri. E këto tash do të na mungojnë. Por në një anë i ulem në gjunjë bindjes: se miq dhe shok si ty, mbeten të rrallë. Besoja se do të uleshim një ditë si qëmoti. E dëshiroja këtë rast, por që nuk m’u dha kurrë.

Dhimbja dhe me siguri kjo jo vetëm e imja, veçanërisht këto ditë do të ndjehet shumë. E më tej kujtesa, do të ulet e butë në shtratin e një mosharrese të përjetshme.

Lamtumirë Kasem Xheneti!

Durrës: 6 shkurt 2022