Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një interpelancë me deputetin e PD Ferdinand Xhaferri për portin e Durrësit ka sqaruar të gjithë procedurat që janë ndjekur për projektin e ri të këtij porti.
Xhaferraj pyeti në lidhje me burimet e financimit në portin e Durrësit, dhe raportimet në media se pas kompanisë që do të ndërtojë në Durrës është një kompani ofshore, dhe jo ajo e Muhamed Alabar, që pretendon qeveria.
Ndërkohë nga ana e saj Balluku tha në mënyrë të përgjithshme se porti i Durrësit është një projekt strategjik, që do e shndërrojë këtë qytet në një nga më atraktivët në Mesdhe.
“Pra kur investojnë këta investitorë në vendet fqinje, ne themi pse nuk kanë ardhur këtu, kur këta investitorë vijnë për projekte në Shqipëri, ne themi jo se janë të korruptuar. Më lejoni që tju them dhe diçka tjetër, me portin e Durrësit zotëri i nderuar, nuk e di pse duhet të mbetemi ne te plani juaj i 2009-tës, vendi ynë ndryshe nga 2009 kur vazhdonte në stanjacion, vendi ynë nga 2013 deri sot jeton në ditë, muaj dhe vite dinamike.
Nuk e di pse e merrni mundimin dhe i referoheni planit të 2019-tës, kur ka një plan të përgjithshëm kombëtar të vitit 2016, ku është projektuar Shqipëria e 2030.
Ka një plan për zhvillimin ekonomik, Tiranë-Durrës, prej mëse 5 vitesh ky plan i 2016-tës shërben si udhëzues për zhvillimin, kemi një plan për transportin, i miratuar në vitin 2020, pasi Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare, të përshtatshme për zhvillimet portuale.
Rivitalizimi i porteve dhe moleve është gur themeli. Me këtë koncept janë parashikuar ndryshime të thella në zonën e portit të Durrësit. Ne kemi bërë një garë ndërkombëtare, ku kanë marrë pjesë 14 kompani, për dizejnimin e Porto Romanos, ju që keni një ndjeshmëri dhe për diellin, duhet ta dini që në Durrës, ka pasur ankesa për ndotjen e qytetit nga porti.
Pa harruar trafikun, pasi maunet duhet të kalojnë përmes portit në qytet. Bazuar në këto plane, është marrë vendimi që porti komercial të pozicionohet në Porto Romano, një zonë industriale që ka një plan të qartë, për ta lidhur dhe me hekurudhën që do të ndërtohet.
Gara u fitua nga Royal, kjo kompani sot pas 13 vitesh, ka marrë dhe po dizenjon portin e ri në PORTO Romano, pasi mendon se Shqipëria ka nevojë për aktivitete të reja.
Nisim historikun e të gjithë negociatës, zoti Muhamed Alabar , themelues i EMAR në 2020-tës, i është drejtuar ministres Belinda Balluku dhe ministrit Blendi Klosi, ku shprehte interesin që të investonte në ballin e Portit të Durrësit.
Në 2021 Drejtori i AIDËS i ka kthyer përgjigje zotit Muhamed Alabar , për interesin që kishte shfaqur, dhe i kishte kërkuar dokumentacionet, për investimet strategjike.
Në 15 Nëntor 2021, kompania e zotit Muhamed Alabar , dorëzoi aplikimin për të marrë statusin e investitorit strategjik, pranë AIDA-s. U ngrit një grup operacional, për të shqyrtuar këtë kërkesë. Në 2 Dhjetor, u mbajt mbledhja e komitetit të investimeve strategjike, këtë mund ta kërkoni se ka të gjitha detajet. Është miratuar statusi i investitorit strategjik.
Në 3/12 2021 firmoset urdhëri i kryeministrit, për marrëveshjen që do të nënshkruhet mes shtetit shqiptar dhe investuesit. Komiteti i negocimit të marrëveshjes, shqyrton të gjitha garancitë e ndërsjellta, vazhdojnë negociatat zyrtare, totalisht transprente, ju grupi këtej keni dorëzuar pyetje dhe keni marrë përgjigje.
Pyetja se nga do të vijnë paratë e ka marrë shpesh përgjigjen, ky investim vjen nga kompania e zotit Muhamed Alabar . Bëhet fjalë për 79 hektarë, në fazën e parë do të jenë 24 hektarë, janë mbi 12 mijë banesa, 5 hotele, projekti përfshin 80 mijë metra katrorë sipërfaqe për parkimin.
24 hektarë në fazën e parë, sa i takon zonave ku ka kredi, porti i peshkimit nuk do të preket, nuk do të ndërtohet në zonën e basenit të peshkimit. Aty do të ndërtohet një zonë shërbimesh. Faza e parë parashikon ngritjen e 4 mijë apartamenteve, duke e kthyer Shqipërinë në zonën turistike më atraktive të rajonit”, tha Balluku.