Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një konferencë me gazetarët këtë të diel ku në fokus kishte inceneratorët. Ai tha se sot është e qartë se shqiptarëve u janë grabitur miliona Euro përmes inceneratorëve.
Basha tha se SPAK duhet të veprojë dhe të arrestojë përgjegjësit në këtë aferë, ndërsa shtoi se Rama ka bërë gati kurbanin e radhës.
“SPAK duhet të veprojë sot me arrestimet e përgjegjësve, mos të presë që Rama t’i shkarkojë ministrat e më pas t’i arrestojë. Edi Rama ka bërë gati kurbanin e radhës për këtë aferë, me shpresën që të shpëtojë vetë. Por s’ka shqiptar që nuk e di që një skeme e tillë korruptive, nuk bëhej pa miratimin e Edi Ramës”, tha Basha.
Sipas kryedemokratit, kandidatja aktuale e PS për bashkinë Durrës ka firmosur një tender me vlerë 10 mln Euro që ia bën dhuratë kompanisë së inceneratorëve Tiranë.
“Kandidatja aktuale e bashkisë Durrës nga PS, Emiriana Sako, ka firmosur një tender me vlerë 10 mln Euro që ia bën dhuratë kompanisë së inceneratorëve Tiranë. Një tender që i jepet drejtpërdrejt kompanisë që ka marrë 430 mln Euro nga xhepat e shqiptarëve. Miliona euro kanë shkuar për inceneratorin e Fierit, që siç e patë nga inspektimi i deputetëve tanë, nuk kryhej as diferencim, as riciklim dhe as incenerim. Inceneratori Fierit ishte thjesht një fasadë që nuk funksiononte. Besoj e kuptoni se pse me milionat e parave tuaja u kanë mbyllur gojën mediave që të mos publikojnë denincimet tona dhe të vertetën që tashmë është e qartë si drita e diellit. A mund t’i kryente një qeveri 17 procedura në 24 orë pa miratimin e Edi Ramës, siç u bë për inceneratorin e Elbasanit?”, tha Basha.





