Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Këshillin e OKB-së, u shpreh se Këshilli i Sigurimit është krijuar për të ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë zyrtare të pritjes, Rama renditi disa prej sfidave të Shqipërisë gjatë këtij mandati.
Gjithashtu ai kujtoi Holokaustit, duke u shprehur se Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj.
“Nuk e di sa prej jush në këtë sallë apo jashtë saj do të binin ose jo dakord me mua që kudo ku te drejtat e njeriut zbatohen, kudo ku gratë respektohen dhe fuqizohen, kudo ku nevojat e qytetarëve vendosen të parat, aty ka zhvillim të qëndrueshëm dhe përparim të mirëfilltë, po për ne, të drejtat e njeriut janë në themel të çështjeve kyçe të paqes dhe sigurisë. Njohja e universalizmit të të drejtave kërkon një drejtpeshim të mençur midis parimeve kundërshtuese: sovranitetit të kombeve, që duhet ta respektojmë dhe së drejtës njerëzore për t’u mbrojtur, së cilës duhet t’i qëndrojmë.
Këshilli i Sigurimit është krijuar për te ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të këtyre vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante. Për ne, sfida është sesi Këshilli mund të ndërhyjë në një mënyrë inteligjente, reflektuese dhe në kohë, për të parandaluar masakrat, për të ndalur konfliktet dhe për të garantuar paqe e siguri të qëndrueshme. Askush nuk dyshon në fuqinë e Këshillit të Sigurimit. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë. Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi.
Siguria nuk mund të vendoset e jo më të zgjatë, pa u vendosur drejtësia. Kështu, mendimi ynë është se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë, por edhe vendosjen e drejtësisë, llogaridhënies. Përmes llogaridhënies do të mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme.
Kjo është edhe detyra për një vend te vogël si i imi. Ne nuk i sjellim fuqi materiale Këshillit të Sigurimit -së paku, jo tani – por nuk është fuqia ajo çka i mungon Këshillit të Sigurimit. As nuk është vetëm fuqia ajo që i duhet Këshillit për të zgjidhur sfidat më të ngutshme sot ndaj paqes dhe sigurisë në botë. Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.” – deklaroi Rama.





