NE javët e para të marsit pritet të ndryshojnë masat antiCovid në Shqipëri. Nga Vora teksa pa nga afër rikonstruksionin e qendrës shëndetësore, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu e shoqëruar nga Zv/Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, tha se vaksinimi mbetet kyç për rivlerësimin e masave.
“Qeveria shqiptare ka miratuar kontratën për ardhjen e 1 million dozave të vaksinave Pfizer, plus 500 mijë doza opsionale. Pra përgjatë gjithë këtij viti fjala kyçe do vijojë të mbetet vaksinimi dhe vaksinimi me dozën e tretë është sërish shumë i rëndësishëm në funksion të rritjes së imunitetit dhe shmangies të formave të rënda të sëmundjes.
Jemi duke vlerësuar me shumë kujdes situatën epidemiologjike, kemi indikatorë të përmirësuar, një incidencë e cila është në ulje, por sa i përket rasteve aktive vijojmë të kemi dhe duhet të tregojmë kujdes. Duke shpresuar që do të jemi në indikatorë të përmirësuar, do të rivlerësojmë masat në dy javët e para të muajit mars”, tha Manastirliu.
Deri tani janë kryer mbi 2 milionë e 680 mijë vaksinime dhe kanë mbërritur mbi 3.1 milion doza vaksine ndaj COVID-19.