Përfundon restaurimi i kullës C te muri rrethues i Kalasë së Durrësit, teksa është hapur edhe rruga për kalimin e automjeteve, e cila ishte bllokuar kohët e fundit për shkak të punimeve që po kryheshin.
Kulla C u rrëzua pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërsa punimet filluan gati pas gjashtë muajsh nga goditja shkatërruese e tërmetit për të përfunduar thuajse pas dy vitesh, pasi restaurimi ka qenë një proces i vështirë, i cili ka kaluar në disa faza.
Më herët në muajin dhjetor 2021, ishte vetë Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe homologia e saj suedeze Elsa Hastad, që morën pjesë në inspektimet e punimeve restauruese në kullën C, duke asistuar në momentin kur njëri nga blloqet e shkëputura nga kjo kullë, me peshë 24 tonë, u pozicionua me ndihmën e një vinçi në strukturën bazë.
Restaurimi i kullës C së bashku me 3 objekte të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare, u mundësua nga Programi i Fondit të Ambasadorëve me një vlerë rreth 800 mijë dollarë.
Kalaja e Durrësit mbetet simbol i lashtësisë e qytetërimeve të qytetit bregdetar. I gjithë muri rrethues i përket periudhës së perandorit bizantin Anastasi I në shekullin e V-të, që ishte me origjinë nga Durrësi dhe bëri fortifikimin e qytetit dhe kulla C që ka rënë ishte pjesë e këtij rrethimi fortifikues. Gjatë tërmetit të tmerrshëm të vitit 1273, që shkatërroi pothuajse plotësisht qytetin e Durrësit, u shkatërrua edhe kjo kullë plotësisht. Më pas, kulla u restaurua me materiale të antikitetit të vonë, pra të periudhës së Anastasit dhe materiale të periudhës së Mesjetës. Për herë të dytë në historinë e saj, tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi dhe një nga kullat fortifikuese të Kalasë së Durrësit.