Ish-lojtari i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Andi Lila së fundmi ka bërë një gjest të bukur. Ai ka njoftuar në rrjetet sociale përmes një statusi se ka ftuar dy futbollistët nga Ukraina, Vladyslav Naumets dhe Kuzyk, të vijnë në Shqipëri bashkë me familjet e tyre.

Andi shkruan se është koha të tregojmë solidaritet dhe humanizëm, teksa postimi i tij ka marrë një vëmendje të madhe nga të gjithë. Me këtë veprim, Andi Lila tregon edhe njëherë mikpritjen e madhe shqiptare në kohë të vështira.

Postimi i plotë:

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme lufte që po kalon Ukraina dhe Bota, është momenti të tregojmë solidaritet dhe humanizëm.

Personalisht bisedova me dy miqtë dhe vëllezërit e mi nga Ukraina Vladyslav Naumets dhe Kuzyk.

I ftova në Shqipëri bashkë me familjet e tyre ! Kaq mund të bëj në këtë moment.

Vetëm solidariteti njerëzor mund të fitojë një luftë, një sfidë.”

Forcat ruse vazhdojnë sulmin ndaj Ukrainës prej ditës së djeshme. Deri më tani, raportohet për 137 persona të vdekur dhe 316 të plagosur. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se që nga ora 3 e mëngjesit, ushtria e saj kishte rrëzuar shtatë avionë rusë, gjashtë helikopterë dhe më shumë se 30 tanke që nga fillimi i pushtimit dhe kishte vrarë afërsisht 800 ushtarë rus.