Midis rrugicave të vjetra të Durrësit dhe pranë Bulevardi Epidamn gjendet Kisha Katolike Shën Luçia.

Ajo shfaqet për herë të parë në një dokument të vitit 1702, por vendndodhja e saj në mesjetë nuk është përcaktuar saktësisht dhe ajo u rindërtua aty ku është sot në vitin 1868.

Krahas veprimtarisë fetare kisha u kthye në një vatër patriotizmi dhe banesa përbri saj i shërbeu veprimtarëve të shquar për interesin kombëtar.

Aty u formua shkolla e parë shqipe në qytet rreth fundit të shek. XIX dhe kur Ismail Qemali zbarkoi në Durrës për shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë, e ktheu kishën dhe ambientet e saj në një zyrë të mirëfilltë pune.

Sot brenda saj gjenden eshtrat e Dom Nikoll Kaçorrit, famullitari i Kishës Shën Luçia, zëvendës kryeministri i parë në qeverinë e Shqipërisë së pavarur dhe spikati në aktivitetin për shpalljen e pavarësisë së vendit.

Nën altarin e kishës prehet një tjetër figurë e shquar që ra martir përgjatë regjimit komunist duke kundërshtuar masat e qeverisë ndaj Kishës Katolike, Vinçenc Prennushi, i cili ka qenë edhe Arqipeshkvi i Durrësit.

Mësoni më shumë për historinë e saj duke ndjekur videon edhe me intervistën e Dom Martin Thompson, Famullitari i Kishës Shën Luçia./Amfora.al